Mosha e 2,2 milionë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit është mjaft e re sipas të dhënave nga Ces Hub i BE.

Shumica e vendeve të BE zhvilloi censet e popullsisë më 2021, nga të cilat u evidentua popullata e emigrantëve sipas vendeve të origjinës dhe mosha e saj.

Në total 70% e shqiptarëve që jetojnë në BE janë deri në 45 vjeç. Mbi 60% e emigrantëve shqiptarë janë në moshë pune aktive (15–49 vjeç), me grup-moshën 30–49 vjeç që dominon fort, me 40.7% të totalit. Kjo peshë është pothuajse identike si për meshkujt, ashtu edhe për femrat, duke treguar se emigracioni nuk është më një fenomen i kufizuar kryesisht te meshkujt, por ka marrë një karakter familjar dhe më të balancuar gjinor.

Sakaq, struktura e popullsisë rezidente në Shqipëri është dukshëm më e plakur. Brenda vendit, pesha e grup-moshave mbi 50 vjeç është rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa grup-moshat e reja dhe ato në kulmin e produktivitetit ekonomik janë tkurrur.

Përkundrazi në emigracion, grup-moshat mbi 65 vjeç përbëjnë vetëm rreth 5%, ndërsa moshat mbi 85 vjeç janë pothuajse të papërfillshme (0.3%), çka tregon se emigracioni shqiptar është kryesisht një emigracion i moshave të reja dhe të mesme, jo i pensionistëve.

Edhe grup-mosha nën 15 vjeç ka një peshë të konsiderueshme në diasporë me 19%, çka tregon praninë e familjeve emigrante dhe një proces më të qëndrueshëm vendosjeje jashtë vendit. Ndërsa në Shqipëri rënia e lindshmërisë ka ulur ndjeshëm peshën e fëmijëve në strukturën e popullsisë.

Në terma ekonomikë dhe demografikë, grafiku konfirmon se Shqipëria ka “eksportuar” në mënyrë disproporcionale kapitalin njerëzor në moshë pune, duke lënë pas një popullsi gjithnjë e më të vjetër.

Ndërsa jashtë vendit shqiptarët janë kryesisht në moshat që kontribuojnë në rritje ekonomike, brenda vendit barra mbi sistemin e pensioneve, shëndetësisë dhe financave publike është në rritje.

Sipas të dhënave të fundit nga Cens Hub emigrimi në dekadën e fundit shënonte 56 % meshkuj në Gjermani, 53 % në Greqi dhe 51 % meshkuj në Itali. Shtetas shqiptarë që jetojnë në Evropë figurojnë të jenë të një moshe të re, edhe në raport me strukturën e popullssisë së vendeve pritëse.

Migrimi i shqiptarëve jashtë vendit nuk është një dukuri e re. Ai është i dokumentuar të paktën që në shekujt e pesëmbëdhjetë dhe të gjashtëmbëdhjetë, me largimin e një mase të madhe banorësh nga trevat shqiptare. Akoma vazhdon të mbetet veprues dhe të japë impaktet e tij domethënëse, si në aspektet demografike, po ashtu edhe në ato sociale dhe ekonomike të vendit. / Monitor

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb