Tedi Mula, kandidat i Partisë Socialdemokrate (PSD) për deputet në qarkun e Tiranës, shpalosi vizionin dhe angazhimin e tij politik gjatë një interviste në studion e News24, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në jetën publike dhe domosdoshmërinë për të ndalur fenomenin e emigrimit masiv.

“Ky është një miksim mes një zgjedhjeje personale dhe asaj të partisë. Dua që vajza ime 2-vjeçare të rritet në një vend që i ofron siguri, ku nuk do t’i duhet të emigrojë,” u shpreh Mula, duke shtuar se ka qenë i angazhuar në politikë dhe më herët, por tani është koha për të vepruar drejtpërdrejt.

Ai theksoi se vendi rrezikohet seriozisht nga largimi i të rinjve dhe se vetëm përmes bashkimit të tyre mund të sjellë ndryshimi: “Të rinjtë janë pjesë e fushatës sonë. Nuk ka një forcë të madhe që i detyron, por jemi vetë ne që e kemi marrë këtë iniciativë.”

Sipas kandidatit të PSD-së, partia synon të fitojë 7-8 mandate në këto zgjedhje, duke u mbështetur në energjinë dhe organizimin e strukturave të saj. Ai ndau edhe shqetësimet që ka hasur gjatë takimeve me qytetarët, mes të cilave spikat mungesa e infrastrukturës dhe ndërtimet pa standarde.

Po ashtu ai përshkroi nepotizmin dhe mungesën e meritokracisë si kontribuuese të një “klime të keqe” në vend, që ka shtyrë rininë drejt largimit.

“Njerëzit nuk interesohen më për emrin e partisë, por për faktin se jemi të rinj dhe duam të punojmë së bashku për të sjellë ndryshim,” theksoi Mula, duke shtuar se mbështetja nga familja dhe komuniteti ka qenë shumë e madhe dhe motivuese.

Në përmbyllje, ai u bëri thirrje qytetarëve që më 11 maj të dalin masivisht dhe të votojnë për PSD-në: “Kjo është një votë për të ardhmen. Është koha për t’i dhënë fund nepotizmit dhe mungesës së meritokracisë. Votoni numrin 11 – PSD.”

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb