Një përplasje me armë zjarri mes disa të rinjve ka tronditur qytetin e Laçit, ku si pasojë janë plagosur disa persona, përfshirë edhe një kalimtare. Gazetari Elidon Ndreka raportoi në një lidhje direkte për News 24 se konflikti ka nisur mes të rinjve që ndodheshin në mjetet e tyre dhe është përshkallëzuar në përdorimin e armëve.
Gazetari Ndreka theksoi se një shitëse ambulante, e cila ka tentuar të ndërhyjë për të shuar sherrin, është qëlluar në këmbë dhe ka mbetur e plagosur. Sipas tij, dy prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë, ndërsa policia ka shoqëruar dy persona të përfshirë në ngjarje. Një nga të plagosurit rezulton se ka qenë i armatosur dhe ka qëlluar gjithashtu gjatë përplasjes.
Ngjarja është shënuar në një zonë të mbuluar me kamera sigurie, të cilat janë sekuestruar nga policia. Megjithatë, deri më tani nuk janë dhënë informacione zyrtare mbi identitetet apo shkaqet e konfliktit.
Elidon Ndreka: Disa të rinj kanë pasur konflikt dhe mësohet se janë konfliktuar me njëri-tjetrin, duke qenë në mjetet e tyre. Shitësja ambulante ka tentuar të shuajë sherrin. Edhe ajo ka marrë plumb në këmbë. Dy persona janë në gjendje të rëndë, ndërsa policia ka shoqëruar dy persona. Rruga ka kamera sigurie dhe janë sekuestruar kamerat, por policia nuk ka dhënë detaje. Edhe një nga të plagosurit ka pasur armë dhe ka qëlluar.
