Për pjesën më të madhe të Iranit, qasja në internet u ndërpre të enjten pasdite – bllokada më e rëndë që vendi ka parë në vite të ndërprerjeve të internetit, pas ditëve të përshkallëzimit të protestave antiqeveritare.

Për një pjesë shumë të vogël të vendit, është ende e mundur të transmetohen foto dhe video në botën e jashtme, madje edhe të bëhen telefonata. Kanali Telegram Vahid Online publikoi të hënën foto të trupave të pajetë pranë një rruge në Kahrizak, në periferitë jugore të Teheranit. Të dielën, ai ndau një video të iranianëve që brohorisnin “Vdekje Khameneit” në një funeral.

Disa nga këto video dhe mesazhe po transmetohen përmes një ekosistemi mjetesh online të dizajnuara për të anashkaluar censurën — midis tyre proxy të Telegram, një shërbim mesazhesh të decentralizuar të quajtur Delta Chat dhe një shfletues të quajtur Ceno, tha Amir Rashidi, një ekspert iranian i të drejtave dixhitale.

Roli i Starlink
Pjesa më e rëndësishme e këtij sistemi është padyshim Starlink, që lidhet me internetin nëpërmjet mijëra satelitëve në orbitën e ulët të Tokës dhe janë futur kontrabandë në Iran masivisht gjatë dy viteve të fundit. Ata që i përdorin ato rrezikojnë jetën e tyre.

Rashidi tha se aktualisht në Iran ka rreth 50,000 terminale Starlink. Raportime të tjera e çojnë këtë numër në 100,000. Përdoruesit e shërbimit – i cili është pjesë e SpaceX të Elon Musk – përbëjnë një pjesë të vogël të popullsisë totale të Iranit prej më shumë se 90 milionë banorësh.

Ndërsa shumë njerëz – madje edhe një pallat i tërë apartamentesh – mund të lidhen me internetin nëpërmjet një terminali të vetëm Starlink , numri i përgjithshëm i përdoruesve në të gjithë vendin është maksimumi në qindra mijëra, tha Doug Mandori, drejtor i analizave të internetit në Kentik, një platformë vëzhgimi dhe inteligjence rrjeti.

Ata ruajnë lidhjen e fundit të dobët të Iranit me botën e jashtme. Shumë pak informacion, të paktën elektronikisht, duket se po del nga vendi, përveç një trafiku minimal nga bizneset dhe individët në listën e bardhë të regjimit.

Në të gjithë Iranin, autoritetet po kërkojnë terminale Starlink—duke bllokuar lagje të tëra duke përdorur mjete të zhvilluara për luftë elektronike dhe duke fluturuar dronë mbi çati për të kërkuar antena satelitore që mund të tregojnë praninë e tyre, thonë burimet. Sipas një ligji të miratuar në vitin 2025, zotërimi i një terminali Starlink në Iran mund të interpretohet si spiunazh për Izraelin dhe dënohet deri në 10 vjet burg.

“Ata në thelb e kanë kriminalizuar Starlink deri në atë masë saqë thonë në ligj se nëse përdorni Starlink, kjo është ekuivalente me kryerjen e operacioneve spiunazhi për Izraelin dhe CIA-n amerikane”, tha Rashidi. Ai shtoi se është e paqartë se sa terminale janë ende në funksion dhe sa janë sekuestruar.Mjetet që duket se Irani po përdor për të bllokuar terminalet janë të nivelit ushtarak, të ngjashme me ato që përdoren për të bllokuar dronët në vijat e frontit në Ukrainë, tha Rashidi. Ato janë të shtrenjta dhe konsumojnë shumë energji, të afta të shkatërrojnë një frekuencë specifike radioje brenda një zone të caktuar, por mund të përdoren vetëm në nivel lokal dhe nuk mund ta mbulojnë të gjithë vendin. “Nuk është e lirë. Është diçka që do ta gjeje në një arsenal ushtarak dhe ka vetëm disa lloje furnizuesish”, tha Mandori.

Për momentin, ata pak persona që kanë kaluar kontrabandë në terminalet Starlink mund të lidhen me internetin, megjithëse në lagjet me ndërhyrje të forta është pothuajse e pamundur të bësh më shumë sesa të dërgosh mesazhe. Ata që janë të aftë në teknologji përdorin VPN-të për të maskuar praninë e tyre. Të tjerë thjesht i lëvizin terminalet e tyre nga një vend në tjetrin për të shmangur zbulimin .

Ndërsa përdoruesit e Starlink mund të komunikojnë për momentin, Irani mund të zgjedhë – megjithëse do të ishte e vështirë – t’i gjurmojë ata. “Në varësi të përpjekjeve që qeveria iraniane do të donte të bënte, ata mund të gjurmonin sinjalet që përdorin frekuencën specifike që përdorin këto terminale”, tha Mandori.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb