Kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja deklaroi se nuk do t’i bindet urdhrave të kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e nënkryetarëve. I pranishëm në takimin e kreut të qeverisë me drejtuesit vendorë në Durrës, Qosja tha se ultimatumi i kryeministrit vlen vetëm për udhëheqësit socialistë.
“Absolutisht jo. Performanca është gjë tjetër. Jo nuk do t’i shkarkoj për shkak të kryeministrit, por për shkak të sezonit turistik apo tjetër… Absolutisht jo. Nuk isha këtu politikisht, isha si kryetar bashkie, kështu që… Ai e ka me të vetët, nuk e ka me të mitë”, tha Qosja.
Po ashtu, edhe kryebashkiaku i Himarës Vangjel Tavo u shpreh se ai nuk do t’i shkarkojë nënkryetarët siç kërkoi Rama, pasi kanë shumë pak kohë në detyrë.
“Në varësi të performancës, unë jam kryetar i ri. Kuptohet që janë akoma në provë, plus që nënkryetarët e mi janë të rinj”, tha Tavo për mediat.
***
Gjatë takimit sot me kryetarët e bashkive në Durrës, kryeministri Edi Rama ka kërkuar që të merren masa edhe për nënkryetarët e bashkive në vend, duke i cilësuar ata të pamotivuar dhe të konsumuar në detyrë.
Ai ka theksuar nevojën për një rifreskim të thellë në nivelet drejtuese të bashkive, jo vetëm tek drejtorët, por edhe tek nënkryetarët, të cilët, sipas tij, nuk po përmbushin më me energji dhe efikasitet detyrimet që u janë ngarkuar.
“Është momenti që të bëni një rishikim serioz të strukturave drejtuese. Nënkryetarët, për mendimin tim, janë lodhur shumë. I shoh të konsumuar, të përhumbur, pa frymëzim e pa gjallëri. Dhe nuk është çështje personale, por një domosdoshmëri për të mbajtur gjallë ritmin dhe ambicien në punën e bashkive. Nuk po them se janë të paaftë, por duket qartë që kanë dhënë çfarë kishin për të dhënë. Bëni mirë t’i zëvendësoni dhe të sillni fytyra të reja, me energji të freskët, që mund të japin një impuls të ri në punët tuaja”.
(BalkanWeb)
