Udhëheqësja e opozitës venezueliane dhe fituesja e Çmimit Nobel për Paqen, Maria Corina Machado, deklaroi se synon të kthehet në Venezuelë “sa më shpejt të jetë e mundur”, duke intensifikuar presionin politik pas rrëzimit nga pushteti të Nicolas Maduros. Në komentet e saj të para publike që prej ngjarjeve të fundit, Machado foli për Fox News nga një vendndodhje e pazbuluar.
Ajo sulmoi ashpër presidenten e përkohshme Delcy Rodríguez, duke e quajtur “një nga autoret kryesore të torturës, persekutimit, korrupsionit dhe trafikut të drogës”. Sipas Machado-s, Rodríguez nuk gëzon mbështetjen e popullit venezuelian, ndërsa theksoi se opozita do të fitonte “më shumë se 90 për qind të votave” në rast të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Machado u zotua se do të transformojë Venezuelën në “qendrën energjetike të Amerikave”, do të çmontojë strukturat kriminale dhe do të krijojë kushtet për kthimin e miliona venezuelianëve që janë detyruar të emigrojnë.
Deklaratat e Trumpit
Ndërkohë, Presidenti i SHBA-së Donald Trump hodhi poshtë raportimet se ai kishte refuzuar Machado-n për shkak të Çmimit Nobel për Paqen. “Ajo nuk duhej ta kishte fituar. Por kjo nuk ka të bëjë me vendimin tim”, tha Trump. Lidhur me të ardhmen ekonomike të Venezuelës, Trump deklaroi se industria amerikane e naftës mund të nisë operacione në shkallë të gjerë në vend brenda 18 muajsh, përmes investimeve të mëdha. Ai theksoi se ringjallja e sektorit të naftës do të ndihmonte në mbajtjen e çmimeve të energjisë të ulëta dhe se kompanitë amerikane ishin të përgatitura për zhvillimet e fundit.
Të shtëna gjatë natës në Karakas
Ndërkohë, gjatë natës u raportuan të shtëna pranë Pallatit Miraflores, selisë së qeverisë në Karakas. Sipas mediave lokale, incidenti u shkaktua nga konfuzion mes forcave të sigurisë, pas fluturimit të dronëve mbikëqyrës që nuk kishin njoftuar personelin tokësor. Deri tani nuk ka raportime zyrtare për të lënduar apo dëme materiale. Ngjarja ndodhi vetëm disa orë përpara inaugurimit zyrtar të Delcy Rodríguez si presidente e përkohshme dhe betimit të Parlamentit të ri, duke nënvizuar klimën e tensionuar politike dhe të sigurisë në vend.
