Pesë persona u vranë në një të shtënë me armë zjarri në Qendrën Islamike të San Diegos, Kaliforni, me tre viktima të rritur brenda xhamisë dhe dy të dyshuar, të moshës 17 dhe 19 vjeç, të gjetur të vdekur aty pranë. Autoritetet thanë se të dyshuarit duket se kishin plagë të shkaktuara vetë nga armë zjarri dhe hetimi për motivet e tyre është duke vazhduar.

Shefi i policisë Scott Wall tha se nuk kishte “asnjë oficer të përfshirë në incident” dhe se informacioni mbetet “shumë paraprak në këtë pikë”. Dy të dyshuarit, sipas autoriteteve, ishin të moshës 17 dhe 19 vjeç. Midis tre viktimave ishte një roje sigurie.

NBC raportoi fillimisht se dy personat e armatosur u vranë nga zjarri i policisë. Versioni i CBS është i ndryshëm, duke raportuar një person të armatosur të vdekur dhe një të dytë në paraburgim.

Raportet tregojnë gjithashtu se shumë të tjerë u plagosën.

Policia u thirr rreth orës 11:40 të paradites për një person të armatosur pranë Qendrës Islamike të San Diegos. Dëshmitari tha se fillimisht u dëgjuan më shumë se 10 të shtëna, ndoshta nga një armë gjysmë-automatike, dhe më pas disa të tjera.

Një forcë e madhe policie mbërriti menjëherë në zonë, ndërsa autoritetet vazhduan gjithashtu të bllokonin rrugët në zonë.

Incidenti tani konsiderohet i mbyllur.

Imami Taha Hassan, drejtor i Qendrës Islamike, e quajti incidentin “të papranueshëm për një vend adhurimi” dhe bëri thirrje për mbrojtje të të gjitha strukturave fetare. Ai gjithashtu falënderoi autoritetet për praninë dhe mbështetjen e tyre në komunitet.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ishte informuar për raportet fillestare dhe se qeveria po e monitoronte nga afër situatën.

Qendra Islamike është më e madhja në Qarkun e San Diegos. Ajo ka 5,000 besimtarë dhe gjithashtu ka një shkollë ku zhvillohen mësime fetare, si dhe mësime gjuhësore.

Një qendër hebraike ndodhet gjithashtu në një distancë të shkurtër larg.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb