Një incident i rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në shkollën e parë teknike në Kragujevac të Serbisë, ku dy persona kanë mbetur të plagosur pas të shtënave me armë zjarri.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, rreth orës 08:00 policia është njoftuar për një incident në ambientet e shkollës, ku dy persona kanë pësuar lëndime. Njëri prej tyre dyshohet se është plagosur nga arma e zjarrit, ndërsa personi tjetër është lënduar si pasojë e thyerjes së xhamave.
I dyshuari është një nxënës 17-vjeçar i kësaj shkolle, i cili dyshohet se ka përdorur një pushkë të kalibrit të vogël në hollin e shkollës.
Forcat e policisë kanë ndërhyrë menjëherë, kanë neutralizuar të miturin dhe e kanë arrestuar atë.
Ndërkohë, policia ndodhet ende në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të incidentit.
