Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar mbrëmjen e sotme në zonën e njohur si “Hamalla e Dedës”, pranë fshatit Qafë T’Mugu, në Qelëz të Pukës.
Sipas të dhënave paraprake, një skuadër e Policisë ka qenë duke monitoruar një parcelë të dyshuar të kultivuar me kanabis, në një zonë të thellë malore. Dyshohet se punonjësit e Policisë janë pikasur nga personat që mund të jenë të përfshirë në kultivimin e lëndëve narkotike, pas së cilës janë dëgjuar të shtënat.
Për shkak të situatës, efektivët në terren kanë kërkuar përforcime. Në drejtim të zonës së thellë malore raportohet se janë nisur forca shtesë, ndërsa një grup i FNSH-së nga Shkodra është angazhuar për mbështetje.
Nuk ka ende të dhëna zyrtare për persona të plagosur apo për ndonjë arrestim lidhur me të shtënat. Policia vijon kontrollet dhe operacionin në zonën malore.
Në këtë zonë tre ditë më parë u arrestua dhe një shtetas për kultivim dhe armëmbajtje.
