Kreu i PD, Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët u pyet lidhur me ngjarjen e ndodhur në Kurbin, ku një anëtar i PD pati përplasje me nënkryetarin gjatë mbledhjes së zhvilluar në degën e PD, ku më pas degradoi në përdorimin e armëve.

Berisha tha se në tërësi procesi i Primareve ka ecur normal, duke shtuar se lidhur me këtë ngjarje, Komisioni ka vendosur masë disiplinore ndaj dy kandidatëve.

“Në tërësi procesi i primareve ka ecur normal. Ky proces është i pari i këtij lloji i vendosur në vend. Ka patur një problem serioz në degën e Kurbinit, në dijeni time komisioni ka vendosur masa disiplinore ndaj dy kandidatëve. Cilido që mendon për mënyra të tjera përveç votës në këtë proces gabon shumë rëndë. Me datën 4 do të bëhen primare, ftoj të gjithë kandidatët të gjitha degët të bëjnë maksimumin për një proces transparent dhe ftoj Komisionin të dorëzojë sa më shpejt listat”, tha Berisha.

Pyetje: Në Kurbin problem ishte shtimi i simpatizantëve? Sa është rreziku për të manipuluar procesin e zgjedhjeve?

Berisha: Ky proces bazohet në votimin e anëtarëve dhe votimin e simpatizantëve, për të minimizuar në një shkallë të caktuar ndikimet e njëanshme të tërësisë së anëtarëve, kandidatëve u janë dhanë formularë, e drejta për të tërhequr formularë. Numrin nuk e kam, e ka komisioni. Kemi ndjekur garën dhe ka qenë ndër më të civilizuarat. Se kush është i favorizuar këtë nuk mund ta them, do ta tregojë dita e diel. Paragjykimi nuk shërben. Falënderoj të 7 kandidatët e Tiranës që u bënë imazhi i garës me përgjegjshmërinë e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb