Kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë Niko Peleshi ka mbajtur fjalën e parë në seancën parlamentare që rinisi pasditen e kësaj të premte.

Në fjalën e tij e cila u shoqërua me përplasje të duarve mbi tavolinë nga ana e deputetëve të PD, Peleshi teksa e ka cilësuar nder zgjedhjen e tij nga Rama dhe PS, ka premtuar para deputetëve se do të vendosë të gjitha energjitë e tij në shërbim të Kuvendit.

Gjithashtu ai siguroi se do të bëjë gjithcka për të krijuar hapësirën e nevojshme të fjalës në parlament, statusin e ri dinjitoz të deputetit, infrastrukturën e përshtatshme për lehtësimin e punës së deputetit në kuvend apo në zonën elektorale.

Nga ana tjetër, kryetari i ri i Kuvendit kërkoi nga deputetët bashkëpunim për vendosjen e një standardi të ri të respëktimit të Kushtetutës, rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Etikës për të cilën tha ai nuk mjafton vetëm vullneti i kryetarit.

Niko Peleshi: Besimi që më dhatë sot duke më zgjedhur kryetar është nder e përgjegjësi që e pranoj me përulësi. Përvoja ime e punës në parlament dhe qeveri, dijet dhe energjitë do të vihen në shërbim të këtij kuvendi, në shërbim të qytetarëve.

Jam ftuar nga Rama dhe mbështetur më pas nga PS, për të kryer këtë detyrë shtetërore në një moment historik të vecantë.

Dëshiroj të falenderoj zonjën Spiropali për kontributin e vyer, standardin e lartë të punës dhe dedikimin e saj si kryetare kuvendi.

Falenderoj të gjithë deputetët pavarësisht votës pro apo kundër apo mospjesëmarrjes në votim dhe i siguroj që do të bëjë gjithcka mundem për të krijuar hapësirën e nevojshme të fjalës në parlament, statusin e ri dinjitoz të deputetit, infrastrukturën e përshtatshme për lehtësimin e punës së deputetit në kuvend apo në zonën elektorale.

Nga ana tjetër do të doja të vendosnim një standard të ri të respëktimit të Kushtetutës, rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Etikës për të cilën nuk mjafton vetëm vullneti im.

Ne jemi bashkëudhëtarë dhe kontribues në segmentin final të shumëpritur të rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së.

 

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb