Aktivisti Florjan Myftari duke folur për hapat e radhës të protestës, u shpreh se tashmë qytetarët e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre dhe se është koha që protesta të marrë përgjegjësi dhe të propozojë ide konkrete për ndryshimin e situatës në vend.
Sipas tij, shqiptarët “kanë zërin e tyre”, ndërsa të vetmit që vazhdojnë të jenë të shurdhër janë politikanët. Ai tha se qytetarët e kanë treguar në forma të ndryshme përballjen me atë që e cilësoi si një sistem të korruptuar.
“Është momenti që protesta të marrë përgjegjësi e të propozojë ide që mund t’i zhvillojmë vetëm së bashku”, u shpreh aktivisti.
Ai theksoi se gjatë katër muajve të protestës nuk është shfaqur një lider i vetëm, duke argumentuar se kjo ka ndodhur pasi lideri janë qytetarët. Aktivisti tha se nuk mund të ketë një lider pa votë dhe se protestuesit kanë zgjedhur të qëndrojnë jashtë politikës, pasi ndryshimi që kërkojnë, sipas tij, duhet të jetë politik.
“Shumë e rëndësishme është të mos dëshpërohemi dhe të jemi entuziastë për Shqipërinë që duam. Duhet të marrim përgjegjësi. Nuk është një lojë tavoline, por është një pikë serioze për Shqipërinë që duam”, deklaroi ai.
Aktivisti u shpreh gjithashtu kundër përfaqësimit aktual politik në Kuvend, duke thënë se qytetarët nuk duan më njerëz që janë të papërgjegjshëm.
“Na duhet një zgjidhje reale dhe e vërtetë”, theksoi ai.
Në vijim, ai kërkoi korrigjimin e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, duke i lidhur ato me nevojën për rikthimin e sovranitetit te qytetarët.
“Shqipëria duhet të korrigjojë gabimet e Ramës dhe Berishës në 2008, ndryshimet kushtetuese, që të marrim sovranitetin, bashkë, pasi ky Parlament dhe mënyra se si është zgjedhur nuk na përfaqëson”, tha aktivisti.
