Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka denoncuar sot ashpër atë që e cilëson si korrupsion shtetëror të rrënjosur thellë në qeverinë “Rama”, duke e cilësuar si pengesën më të madhe dhe të vetme për integrimin europian të Shqipërisë.

Blushi ka reaguar pas vendimit tronditës të Komisionit Europian për të refuzuar përsëri dhënien e fondeve IPARD për Shqipërinë, një shuplakë e rëndë për qeverinë e Edi Ramës dhe për drejtësinë e kapur nga ai, e cila, sipas tij, jo vetëm që nuk heton, por mbron dhe garanton aferat mafioze të pushtetit.

Në deklaratën e tij, ai ka akuzuar kryeministrin dhe eksponentë të tjerë të qeverisë për zhdukjen e miliona eurove që ishin të destinuara për bujqësinë, por që përfunduan në skemën kriminale të inceneratorëve, ndërkohë që fermerët shqiptarë mbeten pa asnjë mbështetje në kushtet më të vështira të ekzistencës.

Deklarata
Korrupsioni shtetëror që ka mbërthyer për fyti Shqipërinë është pengesa më e madhe dhe e vetme për integrimin në Bashkimin Europian. Vendimi i Komisionit Europian për të refuzuar sërish dhënien e fondeve IPARD për Shqipërinë është një akuzë e rëndë dhe një shuplakë publike ndaj Qeverisë së korruptuar të Edi Ramës dhe prokurorisë speciale të kapur prej tij, SPAK-ut. Bujqësia shqiptare, ky sektor kaq i madh, kaq i rëndësishëm dhe kaq jetik për vendin, po përballet me një krizë shumë të rëndë si kurrë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë për shkak të qeverisë plackitëse dhe të korruptuar.

Sikur të mos mjaftonte deri tani nënfinancimi në ekstrem i bujqësisë nga Buxheti i Shtetit, duke e renditur Shqipërinë të fundit në rajon dhe Europë dhe sidomos me një diferencë skandaloze të mbështetjes krahasuar me fqinjët, tani bujqësisë se rrënuar në mbijetesë vijon për të dytin vit radhazi t’i ndërpritet edhe ndihma financiare nga Bashkimi Europian për shkak të korrupsionit shpërthyes.

Kapja totale e shtetit dhe drejtësia me regji do të sjellin pasoja edhe më të rënda për vendin dhe qytetarët tanë sepse korrupsioni dhe pushteti me çdo cmim janë të vetmet qëllime të “Rilindjes”.

Skandali i zhdukjes së miliona eurove të destinuara për fermerët shqiptarë, por që përfunduan te inceneratorët që nuk ekzistojnë, është një krim shtetëror.

Këto fonde europiane, që duhet të shkonin për zhvillimin e bujqësisë dhe mbështetjen e fermerëve, përfunduan në xhepat e një organizate mafioze që vepron për llogari të pronarit të vërtetë faktit të inceneratorëve, Edi Ramës, që vijon të vjedhë me këtë mega-aferë me bekimin e plotë dhe heshtjen kriminale të drejtësisë së kapur, që çdo zhvatje të

Kryeministrit e konsideron afërmendsh si “krim intelektual të vështirë për t’u hetuar”.

Nuk mund të ketë integrim europian me një regjim që e përdor shtetin si instrument të grabitjeve dhe që e ka kthyer korrupsionin në dogmë qeverisëse.

Nuk ka anëtarësim në BE për një vend ku SPAK jo vetëm që nuk lufton korrupsionin, por bëhet mburojë dhe garant i tij.

Edi Rama, Frida Krifca dhe kupola politike e këtij regjimi janë përgjegjësit e drejtpërdrejtë të kësaj vjedhjeje barbare të fondeve europiane IPARD, për të cilën Altin Dumani, si në çdo dosje ku del emri i Kryeministrit, nuk guxon të nisë asnjë hetim serioz.

Fermeri shqiptar në veçanti dhe bujqësia në tërësi po goditen barbarisht nga kjo qeveri.

Çdo euro e vjedhur, çdo subvencion i refuzuar është një goditje ndaj jetesës së përditshme të mijëra fermerëve të ndershëm që punojnë tokën, që luftojnë për të mbijetuar, që shpresojnë në një të ardhme më të ndershme, por që kjo qeveria u akordon një buxhet më të vogël se bakshishi i vjedhjes në tunelin e Llogarasë,

Me një shtet të rrënuar nga korrupsioni dhe me këtë drejtësi të kapur, Shqipëria nuk ka dhe nuk mund të ketë vend në Bashkimin Europian.

Koha e llogaridhënies duhet të nisë me emra konkretë, me akuzë të qartë dhe me largimin e menjëhershëm të një qeverie që ka tradhtuar interesin kombëtar për interesat e saj mafioze dhe klienteliste.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb