Kryeministri Edi Rama dekoroi sot muzikantin dhe instrumentistin virtuoz Tedi Papavrami me “Yllin e Oficerit të Urdhrit Suprem të Shqiponjës”, në emër të Presidentit të Republikës.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Parkun “Eden” në ambientet e Kryeministrisë, kryeministri Rama e cilësoi Papavramin “një yll plot shkëlqim në yjësinë e Shqipërisë europiane”.

Kryeministri nënvizoi se ky urdhër është për Tedin përkthyes, krijues, aktor, kërkues, për Tedin shqiptarin e Europës dhe të botës.

“Është për atë që preket nga kontrastet e vendit të prejardhjes dhe që magjepset nga kaligrafi i Kansho Miyashita në tempullin e Taima Dera, ndërkohë që mishëron personazhet të Choderlos de Laclos tek “Lidhje të Rrezikshme”. Me pak fjalë, ky urdhër është për Tedin fenomen, për Tedin gjithmonë në shtegtim dhe gjithmonë mes nesh. Patjetër nuk dua që të keqkuptohet, që nuk e përjashtova, përkundrazi, muzikantin e madh. Tedi është një muzikant-njeri, nuk është një njeri me instrument dhe më kujton tërësisht Tedin, ajo që Bahu thotë se “madhështia nuk qëndron tek objekti, por te fryma. Nuk ka asgjë të veçantë rreth një instrumenti muzikor. Duhet vetëm të luash notën e duhur, në momentin e duhur dhe instrumenti luan vetë””, shtoi Rama.

Rama vlerësoi faktin se kjo ceremoni i bashkohet ngjarjeve kulturore të Javës së Europës.

“Dua t’i them Tedit faleminderit që shkoi në Europë si një shqiptar i bukur, kur për Europën shqiptarët ishin njerëz me bisht. Faleminderit Europës që gjatë kësaj jave na solli Tedin në Shqipëri! Kjo ditë do të mbetet një kujtim i bukur europian”, tha Rama.

Rama vlerësoi angazhimin intelektual të Papavramit, të cilin e cilësoi një zë maksimalisht dinjitoz.

“Tani bëhesh pjesë e këtij urdhri dhe vishesh me Kalorësinë e Republikës dhe këtë Kalorësi ti e ke merituar, por ishte Shqipëria që deri shumë pak kohë më parë nuk e kishte këtë Urdhër Kalorësie”, tha Rama.

Ndër të tjera Rama e cilësoi Papavramin një njeri shembullor që ngre lart atë që e karakterizon, njerzillëkun dhe modestinë e rrallë.

“Tedi përtej të gjitha atyre që e kanë bërë atë që është si person, në individin e vet është mbi të gjitha ato një dashurues i paepur, i rrallë, aq i rrallë sa është qoftë një humbës i madh, aq edhe një ngadhënjimtar i përjetshëm. Pa këtë pjesë, arti i tij do të ishte shumë pak për të portretizuar dhe nderuar Tedin”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se “Papavrami nderohet sot edhe për provën se mund të largohesh nga vendi, por vendi nuk largohet kurrë nga ty”.

“E konsideroj veten me fat që të kam njohur qysh të vogël dhe të kam parë që të rritesh kokëfortë, këmbëngulës dhe i paepur. Ylli që ti merr sot është më shumë një yll për shembullin, por jo për karrierën dhe një yll për provën se mund të largohesh nga vendi, por vendi nuk largohet kurrë nga ty. Nuk bëhesh një kolos për botën, pa u çrrënjosur nga kopshti i gjyshit dhe mund ta rrëfesh plagën duke e kthyer atë në dashuri, jo në mllef. Ylli që ti merr sot, ndriçon edhe për ata që historia i lë në prapaskenë”, tha mes të tjerash Rama.

Në prani të miqve, familjarëve dhe admiruesve të artit të tij ndër vite, Kryeministri Rama i vendosi Tedi Papavramit dekoratën e lartë me motivacionin: “Në vlerësim të meritave të veçanta, të shquara dhe të qëndrueshme në fushën e artit dhe të kontributeve, në rrezatimin ndërkombëtar të kulturës, letrave dhe emrit shqiptar, si një nga instrumentistët më të talentuar dhe profesionalisht më të përsosur të brezit të tij, performanca artistike e të cilit ka shënjuar sallat më prestigjioze dhe publikun artdashës në Shqipëri dhe kudo në botë, duke merituar admirimin, respektin dhe mirënjohjen e të gjithëve”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: