Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, deklaroi se Irani nuk duhet në asnjë mënyrë të sigurojë armë bërthamore, duke theksuar se Aleanca ka qenë prej kohësh e vetëdijshme për kërcënimin që paraqet programi raketor i Teheranit.
Në një konferencë për shtyp nga selia e NATO-s në Bruksel, ku prezantoi raportin vjetor për vitin 2025, Rutte u shpreh se veprimet e Shtetet e Bashkuara synojnë dobësimin e kapaciteteve bërthamore dhe raketore të Iranit.
“Përfundimi logjik është se Irani tani ka aftësi gjithnjë e më të rrezikshme për aleatët. Gjëja pozitive është se NATO qëndron fort me aleatët”, tha ai, duke përmendur edhe rrezikun nga raketat iraniane, të cilat sipas tij kanë demonstruar rreze të konsiderueshme veprimi, si në rastin e sulmit ndaj bazës në Diego Garcia.
Rutte theksoi se qëndrimi i NATO-s ndaj Iranit ka qenë gjithmonë i qartë: zotërimi i aftësive bërthamore dhe raketore përbën kërcënim jo vetëm për rajonin, por edhe për Evropën. “Irani ka qenë një burim kaosi për rajonin dhe botën për shumë vite”, u shpreh ai.
Duke komentuar qëndrimet e ndryshme brenda Aleancës, Rutte pranoi se nuk ka gjithmonë unanimitet mes vendeve anëtare, por nënvizoi se për çështjen e moslejimit të Iranit për të zhvilluar kapacitete të tilla ekziston dakordësi e plotë.
Ai foli edhe për bashkëpunimin në rritje mes Iran, Rusi, Koreja e Veriut dhe Kinë, duke theksuar se këto vende po punojnë ngushtë së bashku dhe se Irani po furnizon Rusinë me pajisje kyçe në kontekstin e luftës në Ukrainë.
