Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur kënaqësinë për progresin e arritur në bisedimet me Iranin, pas negociatave të zhvilluara dje në Oman, duke bërë të ditur se kontaktet mes dy palëve do të vijojnë “në fillim të javës së ardhshme”.
Duke folur për gazetarët që e shoqëronin në aeroplanin presidencial, Trump i përshkroi bisedimet si “shumë të mira”, duke theksuar se Teherani duket i gatshëm për të avancuar drejt një marrëveshjeje.
“Kishim bisedime shumë të mira për Iranin. Irani duket se është shumë i etur për të arritur një marrëveshje. Duhet të shohim se cila do të jetë ajo marrëveshje, por mendoj se Irani është shumë i interesuar për të ecur përpara”, deklaroi presidenti amerikan.
Presion ushtarak dhe paralajmërime për pasoja
Në të njëjtën kohë, Trump nënvizoi se Shtetet e Bashkuara po ruajnë një prani të fuqishme ushtarake në rajon, duke rritur presionin ndaj Iranit në kuadër të negociatave.
“Ne kemi një armatë të madhe, një flotë të madhe që po shkon drejt rajonit. Ata do të jenë atje shumë shpejt. Do të shohim se si do të zhvillohet situata”, tha ai.
Presidenti amerikan konfirmoi gjithashtu se bisedimet do të rifillojnë së shpejti, duke dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë për Teheranin lidhur me pasojat e mundshme nëse nuk arrihet një marrëveshje.
“Do të takohemi përsëri në fillim të javës së ardhshme. Iranianët duan të bëjnë një marrëveshje, siç duhet. Ata i dinë pasojat nëse nuk e bëjnë. Nëse nuk bëhet një marrëveshje, pasojat do të jenë të mëdha”, theksoi Trump.
