Irani është zotuar të hakmerret kundër Izraelit dhe SHBA-së në përgjigje të sulmit ajror në Siri, i cili vrau një grup komandantësh të lartë të Teheranit.

Korpusi i Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC) konfirmoi se shtatë oficerë, duke përfshirë gjeneralët Mohammad Reza Zahedi dhe Mohammad Hadi Haji Rahimi, u vranë në sulmin ajror në ndërtesën e konsullatës iraniane në Damask të hënën. Zahedi ishte një komandant i lartë i Forcave Quds – njësia e IRGC-së e ngarkuar me operacione jashtë shtetit dhe Rahimi ishte zëvendësi i tij.

Zyrtarët në Siri dhe Iran kanë fajësuar Izraelin për sulmin. “Republika Islamike e Iranit, ndërkohë që rezervon të drejtat e saj për të marrë kundërmasa, vendos për llojin e reagimit dhe ndëshkimit të agresorit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Nasser Kanaani në një deklaratë të cituar nga agjencia e lajmeve IRNA.

Ministri i Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian paralajmëroi në X (ish-Twitter) se aleati i ngushtë i Izraelit, SHBA, “duhet të mbahet përgjegjës”.

Izraeli nuk ka komentuar mbi sulmin. Qeveria izraelite rrallëherë pranon publikisht sulmet ajrore në Siri, të cilat Damasku i ka denoncuar vazhdimisht si shkelje të sovranitetit të saj.

Qeveria izraelite ka akuzuar Iranin për organizimin e sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit ndaj qytetarëve izraelitë, i cili nisi luftën e vazhdueshme me grupin militant palestinez Hamas. Muajin e kaluar, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) goditën ata që thanë se ishin militantë të lidhur me Iranin në Liban.

Teherani është zotuar të vazhdojë mbështetjen e tij për Hamasin dhe grupet e tjera palestineze, por këmbënguli se Hamasi kishte vendosur të pushtonte vetë territorin izraelit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb