Egnatia ka nisur sezonin e ri të Superiores me një start të vështirë, duke arritur vetëm një pikë në dy ndeshjet e para. Edhe pse janë kampionët në fuqi dhe konsiderohen si një nga skuadrat pretendente për titull, rezultatet nuk kanë qenë ato që priteshin.
Bardhejeshilët e nisën sezonin me synime të larta, por humbja dhe barazimi kanë vënë në provë ambicien e tyre për të mbrojtur titullin, edhe pse është herët për të dalë në konkluzione përfundimtare. Megjithatë, ndonëse statistikat e dy ndeshjeve të para nuk janë pozitive, stafi teknik dhe lojtarët nuk kanë humbur besimin.
Egnatia mbetet një skuadër me kualitet dhe eksperiencë në kampionat, dhe në klub presin që performanca të përmirësohet sapo skuadra të gjejë ritmin e duhur. Ky start nuk shihet si një alarm, por si një periudhë ku duhet matur forcat dhe përgatitur ekipi për sfidat e ardhshme. Për tifozët dhe drejtuesit, kjo është një kohë për të monitoruar lojën dhe për të forcuar objektivin kryesor, mbrojtjen e titullit dhe pretendimin për vendet e para. Egnatia ka potencial dhe përvoja për të rikthyer ritmin dhe për të treguar se mbetet një nga pretendentet kryesore të Superiores.
RIORGANIZIMI I SKUADRËS – Ky pushim i shkurtër i kampionatit pritet të vijë në kohën e duhur për Egnatian. Pas dy javëve të para, ku skuadra ka bërë disa ndryshime të rëndësishme në përbërje dhe ka futur lojtarë të rinj, stafi ka mundësinë të punojë për të integruar lojtarët e rinj në sistemin e lojës. Me shumë gjasa, Tetova do të analizojë gabimet e dy ndeshjeve të para dhe do të rregullojnë strategjitë taktike.
Çdo lojtar i ri do të ketë mundësi të përshtatet me ritmin e skuadrës dhe të kuptojë më mirë rolin e tij në fushë, duke përmirësuar bashkëpunimin mes reparti të ndryshëm. Nga ana tjetër, ky pushim, përveç rikuperimit fizik, i jep mundësi Egnatias të forcojë kiminë e ekipit dhe të ndreqë çdo mangësi para ndeshjeve të radhës. Trajneri Edlir Tetova ka theksuar se skuadrën e vërtetë të Egnatias do ta shohim në muajin tetor, kur grupi të konsolidohet plotësisht.
