TIRANE- Po vijon me intensitet procesi i shpërndarjes së teksteve shkollore për nxënësit e sistemit parauniversitar në mbarë vendin. Sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit, librat nga klasa e parë deri në të katërt do të jepen falas në shkollat përkatëse, dhe do të kthehen sërish në fund të vitit mësimor.
Drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “4 Dëshmorët” në kryeqytet, Mamica Çano thekson se nxënësit duhet t’i mirëmbajnë tekstet, dhe të mundohen t ’i kryejnë plotësimet vetëm me laps.
Vetë prindërit e shohin si një mundësi shumë të mirë shpërndarjen e teksteve falas për fëmijët. Sipas tyre, kjo nismë e Ministrisë së Arsimit është një lehtësim ekonomik për familjet shqiptare.
Aktualisht, për vitin mësimor 2018-2019, do të përfitojnë libra falas rreth 190 mijë nxënës.
Ndërkohë, libraritë po bëjnë shpërndarjen e teksteve mësimore nga klasa e pestë deri në vit të fundit të shkollës së mesme.
Lidhur me debatin e pak kohëve më parë, mbi rritjen e çmimeve të librave për këta nxënës, shitësja e një librarie tregon se deri më tani nuk ka pasur ankesa nga prindërit.
Sakaq, shpërndarja e teksteve mësimore për nxënësit e sistemit parauniversitar do të vazhdojë.
(BalkanWeb)