Një aksident në një teleferik në Turqi i ka marrë jetën një personi dhe ka plagosur 7 të tjerë. Ngjarja ndodhi në provincën jugore të Antalias të Turqisë. Mësohet se teleferiku u përplas me një shtyllë të thyer, tha zyra e guvernatorit lokal dhe një stacion televiziv.

Në rrjetin social X, guvernatori bëri të ditur se të plagosurit janë transferuar për mjekim në spitalet e afërta dhe se 24 kabina të teleferikut kanë mbetur të varur në ajër. Njësitë e shpëtimit emergjent evakuuan 40 persona nga shtatë kabina të teleferikut dhe përpjekjet për të evakuuar 134 persona të tjerë të bllokuar në kabina të tjera po vazhdojnë, njoftoi zyra e guvernatorit.

Në vendngjarje janë dërguar helikopterë dhe mjete të tjera për evakuim nga linja e teleferikut.
Sipas informacioneve në faqen e internetit, teleferiku ka 36 kabina me një kapacitet prej gjashtë personash secila. Ngjitja në objektin Tunektepe me pamje panoramike të qytetit të Antalias zgjat mesatarisht nëntë minuta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: