Ndryshimet klimaterike do të ndikojnë dukshëm zhvillimet ekonomike të vendit në vitit në vijim, teksa temperaturat do të rriten dhe reshjet do të bien. Nga ndryshimet ekstreme të klimës, bujqësia do të jetë sektori më i rrezikuar, teksa territori do të dëmtohet nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës.

Strategjia kombëtare për zhvillimin e territorit deri me 2030 që ka hyrë në fuqi së fundmi lajmëron se temperatura do të rritet gradualisht. Të gjitha projeksionet tregojnë se në stinën e verës priten temperatura 2.4 – 3.1 më të mëdha se mesatarja aktuale.

Për shkak të ndryshimit të mundshëm të regjimit të temperaturës, zona bregdetare shqiptare ka të ngjarë të ngrohet me tej. Sektorët kryesorë që do të ndikohen nga këto ndryshime janë bujqësia, shëndetësia, burimet ujore, fatkeqësitë natyrore, turizmi dhe biodiversiteti.

Gjithashtu ndryshimet klimaterike do të sjellin pakësim të reshjeve. Të gjithë skenarët tregojnë një ulje të reshjeve vjetore për të gjitha horizontet kohore, lidhur me vitin 1990. Duke u bazuar ne rezultatet e tyre arrihet në përfundimin se ekziston mundësia e zvogëlimit të reshjeve vjetore me -8,5 % (nga -56,0 % deri ne 47,4 %) ne vitin 2050; dhe me -18,1 % (nga -89,7 % deri ne 94,0 % ) në vitin 2100.

Mirëpo të gjitha këto ndryshime do të sjellin një intensitet më të lartë të fatkeqësive natyrore.

Fatkeqësitë hidro-meteorologjike pritet të jenë edhe më dominuese me ndryshimet e pritshme në klimë ku skenarë të shkencëtarëve parashikojnë rritjen e numrit te ngjarjeve ekstreme klimatike.

Kjo tregon se ne te ardhmen do të kemi rritje të vazhdueshme në numrin e fatkeqësive natyrore. Nëse konsiderojmë në të njëjtën kohë ndikimin e tyre në mjedis dhe shëndetin e popullatës, kjo mund të sjellë pasoja shkatërruese në të gjithë sektorët e jetës. Ekspertët shqiptare të mjedisit sqarojnë se kostoja e veprimeve për të reduktuar rrezikun është vlerësuar të jetë rritja gjithnjë e më e madhe.

Parametrat më të rëndësishëm të klimës me ndikim të drejtpërdrejte tek rreziku nga fatkeqësitë natyrore janë reshjet duke shkaktuar përmbytjet, përmbytjet e papritura, stuhitë, breshër, stuhi shiu, etj dhe temperaturat: zjarret e pyjeve, thatësira, valët e nxehtësisë, valët e te ftohtit, etj

Pra, rritja e temperaturave do të pasohet nga rritja e probabilitet për ngjarje ekstreme dhe ndryshueshmëri më të lartë të temperaturave vjetore minimale e maksimale.

Në këto skenarë priten sezone më të shpeshta thatësire me rrezikshmëri të lartë për zjarr rënie sidomos në zona me toka të thata.

Analiza për ndryshimet në mjedis tregon se rritja e ngrohjes dhe ndotjes do te sjelle rritjen e numrit te vdekurve si pasoje e te nxehtit për moshat mbi 65 vjeç.

Rritja e temperaturave mesatare dhe ekstreme do të rrisin kërkesën për ujë të pijshëm dhe për qëllime ujitjeje, sidomos për toka me kapacitet të ulët ujëmbajtës. Nëse reshjet pakësohen territori do te vuaje mungese te larte te ujit gjatë verës.

Implikim tjetër do të jetë ndryshimi i Indeksit Klimatik te Turizmit (TCI) për bregdetin e Shqipërisë i cili do të sjellë zgjatje të sezonit turistik si pasoje e komfortit termik, ku sezoni turistik pritet të zgjerohet nga fundi i muajt shkurt deri ne fund te muajit nëntor./Monitor/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: