Një fjalim me tone të forta ishte ai i një të riu nga protesta që po mbahet para Kryeministrisë. Ai ironizoi kryeministrin Rama, ndërsa theksoi se nuk do të ndalen, deri në arrestimin e tij dhe të qeverisë së korruptuar.
“Zoti kryeministër, keni shpërndarë disa pamje ku thoni se është një protestë mjedisore. Po e vërtetë, këtu janë dhe ata që mbështesin mjedisin, por dhe ata që jetojnë me qira. Dhe ti që do t’i lësh tërë jetën me qira. Këtu ke dhe të papunë, të arsimuar. I keni lënë në baltë. Këtu janë dhe fëmijët e vegjël që plani urbanistik i Tiranës, e ka bërë vendin për ta një burg betoni. Këtu janë dhe mjekët që ju i doni neper kurset e gjermanishtes, që doni të ikin sa më parë. Këtu janë dhe pacientët e tyre që doni që të ikin te privati. Këtu është dhe policia, që i keni vjedhur deri te tenderat e rrobave dhe këpucët që veshin. Jo vetëm mjedisi, të gjithë jemi këtu. Edhe ne jo specialistët i dimë nja dy gjëra për mjedisin, ama çdo verë shohim se si Shqipëria mbytet në zjarr në të katër anët dhe që nuk ju dolën lekët për avionë dhe i shtrijmë dorën Europën dhe i fikni zjarret me degë peme. I dimë se si vinë 4 mld dollarë, se kemi vite që paguajmë naftë më të shtrenjtë në rajon. Ju prisni që vera të nxehet dhe protesta të shuhet, që Shqipëria të digjet dhe ministrat të krihen në resorte luksoze. SPAK do të jetë në zyrë dhe në këtu, deri sa të jeni në burg të gjithë! Nuk ka shans, këtu do të jemi përditë! Edhe nesër me diasporën. Nesër më shumë.”, tha ai.
