Abuzimet e Ceno Klosit në krye të Tatimeve po zgjerohen me tendera abuzivë nga më të çuditëshmit. Përmes një procedure prokurimi të paqartë Ceno Klosi kërkon që të marrë me qira shërbimit e printimit dhe fotokopjimit në të gjithë administratën tatimore, drejtorinë qendrore dhe ato vendore. Ky shërbim do tu kushtojë taksapaguesve shqiptarë plot 600 mijë euro pa TVSH.

Gara mbyllet me 11 mars, ndërsa në dokumentet e tenderit thuhet se në të gjithë drejtoritë Tatimore do të instalohen 128 pajisje, 59 për printim dhe 69 për  fotokopjimi. Se si është nxjerrë kosto 600 mijë euro nuk dihet, por Tatimet thonë se do të përpunohen gati 30 milion fletë të formatit A4.

Nuk dihet pse Tatimet duhet që për printimet dhe fotokopjimet të marrin pajisje me qira, ndërkohë që me shumë më pak para këto pajisje mund të bliheshin.

Sajimi i prokurimeve të tilla në kurriz të taksapaguesve shqiptarë ngre pikëpyetje të mëdha për mënyrën sesi administrohet paraja publike në vendin tonë.

Por ky tender i Ceno Klosit cënon rëndë edhe sigurinë e të dhënave sensitive që kalon çdo ditë në duar administrata tatimore duke bërë që ato të përpunohen nga persona privatë pa pasur asnjë klauzole për ruajtjen e informacionit.

Në dokumentet e tenderit operatorit privat që do të realizojë shërbimin nuk i kërkohet asnjë certifikatë sigurie, ndërkohë që do të përpunojë të dhënat fiskale të çdo subjekti të regjistruar në Shqipëri, deklaratat tatimore, librat e shitjes, borxhet dhe gjendjen financiare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb