Pas një viti hetimesh për koncesionin e aeroportit të Vlorës, SPAK ka dyshime të forta se është shkelur barazia në tender dhe se kompania fituese është paracaktuar.
Gazetarja Klodiana Lala, në një lidhje me studion e News24, informoi se SPAK ka thirrur anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave dhe ka marrë të pandehurit e parë, ndërsa akuzat përfshijnë shkelje të barazisë në tendera dhe favorizim të një kompanie të caktuar.
“Hetimi gati 1 vjeçar është drejtuar nga Klodian Braho, kreu i SPAK, i cili pak ditë më parë ka thirrur dhe ju ka komunikuar akuzën disa personave për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera. Bëhet fjalë për anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave se nga hetimi ka rezultuar se gjatë vlerësimit të kompanive që ishin në garë është shkelur barazia dhe kompania fituese ka të gjitha gjasat të jetë paracaktuar”, tha Lala.
Klodiana Lala: Koncorsiumi i kompanive që fitoi koncesionin për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, u paracaktua. Këto janë dyshimet e prokurorisë së posacme, pas gati një viti hetimesh, lidhur me kontratën koncesionare të Aeroportit në jug të vendit, që aktualisht është objekt konfliktesh gjyqësore mes dy ortakëve, Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit.
Ditët e fundit, prokurori i çështjes Klodian Braho, njëherazi dhe dejtues i prokurorisë së posacme thirri dhe iu komunikoi akuzën e “shkeljes së barazisë në tender”, kryer në bashkëpunim anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave.
Ky veprim u krye nga SPAK, për shkak se vepra penale mund të parashkruhej, ndërkohë që hetimi është duke vijuar lidhur me përgjegjësinë e zyrtarëve të lartë në këtë cështje, pasi ka dyshime të forta për implikim të tyre.
Fituesit e kontratës koncesionare për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, u shpallën nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në mars të 2021. Koncorciumi përbëhej nga kompania Mabco Construction SA e biznesmenit kosovar, Behgjet Pacolli, kompania turke YDA Group dhe 2A Group në pronësi të Valon Ademit.
Referuar dokumentave në maj të 2021, konsorciumi fitues themeloi kompaninë koncesionare, Vlora International Airport, VIA, me kuota të ndara në 58% për Pacollin, 40% për kompaninë turke dhe 2% për Valon Ademin. Në shtator të 2022 kompania turke YDA Group u largua nga projekti dhe ia shiti aksionet Behgjet Pacollit me një vlerë prej 4450 euro.
Vjeshtën e 2025, mes dy ortakëve Behgjet Pacolli i Mabcos dhe Valon Ademit i 2A grup, shpërtheu një konflikt gjyqësor për cështjen e aksioneve. Paditë e secilit po shqyrtohen nga gjykatat civile, ndërsa prokuroria Tiranës, po heton po ashtu akuzat e ndërsjella të dy ortakëve.
Sipas kontratës se lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë koncesionare, aeroporti duhet të kishte përfunduar punimet dhe të ishte i operueshëm brenda marsit të këtij viti.
Sipas dokumentave te tenderit, koncesionari duhet te investonte ne kete projekt 104 milion euro dhe projektonte te fitonte ne fund te 35 viteve te operimit 734 milion euro. Shteti shqiptar garantonte 138 milion euro te ardhura te munguara ne 10 vitet e para, duke eleminuar ne kete menyre pjesen me te madhe te rrezikut per kthimin e investimit te pales private.
