Ndonëse ishte arritur një marrëveshje për pranimin e fajësisë mes SPAK dhe ish-kryebashkiakut të komanduar të Kukësit, Granit Gjana, kjo gjë është refuzuar nga GJKKO. Gjana dhe SPAK kishin arritur në marrëveshje lidhur me pranimin e fajësisë për 2 procedura tenderimi për blerje karburanti. Gjykata e Posaçme ka urdhëruar sot kthimin e dosjes për hetim nga ana e SPAK. Kujtojmë se marrëveshja parashikonte dënimin e Gjanës me 1 vit e 6 muaj burgim dhe konvertimin në 3 vite shërbim prove. Po ashtu edhe një masë plotësuese, siç ishte heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një afat 5-vjeçar.

Deklarime për rastin në fjalë ka dhënë edhe ish-kryebashkiaku Safet Gjici, por ai theksoi se nuk i kujtoheshin detaje.

“Më date 25 janar 2024, është bërë marrja në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale e shtetasit Safet Gjici, i cili deklaroi se për shkak dhe të kohës së gjatë aë kishte kaluar, nuk i kujtoheshin detaje rreth ngjarjes, por edhe se një pjesë e mire të kompetencave të tij si kryetar bashkie, ai i kishte deleguar tek n/kryetarët e bashkisë. Gjithashtu, shtetasi Safet Gjici deklaroi se në muajin Prill ishte angazhuar në fushatë elektorale dhe nuk është marrë fare me punët e bashki, për shkak se dhe ligji zgjedhor nuk ia lejonte një gjë të tillë”, sqarohet në dosjen e SPAK.

NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 05.03.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Miratimin e “Marrëveshjes mbi Pranimin e Fajësisë dhe Caktimin e Dënimit”, të lidhur më datë 01.03.2023 midis Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të pandehurit Granit Gjana, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në dy raste, parashikuar nga neni 258/2 i Kodit Penal.
2.Në seancën e datës 30.04.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Elsa Ulliri, me vendimin Nr. 63 Regjistri Themeltar, datë 30.04.2024 vendosi:
1.Refuzimin e miratimit të “Marrëveshjes mbi Pranimin e Fajësisë dhe Caktimin e Dënimit”, të lidhur më datë 01.03.2023 midis Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të pandehurit Granit Gjana, në praninë e mbrojtësit, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në dy raste, parashikuar nga neni 258/2 i Kodit Penal.
2.Kthimin e akteve Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që i përkasin procedimit penal Nr. 115, të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurit Granit Gjana.
3.Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.

Tiranë, më datë 30.04.2024
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb