SHKODËR- Një situatë aspak e këndshme ka ndodhur në ambientet e spitalit Rajonal të Shkodrës në momentin kur ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj kanë shkuar të vizitojnë ushtarin që i mbijetoi rrëzimit të helikopterit në Grizhë të Malësisë së Madhe, Gerald Baramuça.
Mësohet se gazetari i “Zëri i Amerikës” Pëllumb Sulo nuk është lejuar të filmojë gjatë kohës që zyrtarët e lartë ishin në spital, duke i kërkuar atij që të fikte kamerën. E para që ka kërkuar që mos të filmohet ka qenë ministrja Kodheli, e cila u shpreh se: “Ka mundësi ju lutem, pak me kamerat”. Fill pas Kodhelit, vjen ministri Beqaj, i cili i ka kërkuar po të njëjtën gjë gazetarit.
DEBATI
Beqaj: O Pëllumb paske trash zërin. Nuk ke qenë kështu mor burrë?!
Gazetari: Sigurisht që e kam trashuar
Beqaj: Oouu
Gazetari: Nuk lejon askënd të më prek kamerën
Beqaj: Ke trashur zërin?
Gazetari: Të lutem shumë
Beqaj: Është dhomë zgjimi, ule zërin
Por, duket se situata është agravuar akoma më shumë, kur një person që shoqëronte ministrin Beqaj, ka dalë nga dera dhe i është drejtuar gazetarit duke thënë se: ‘Ule zërin. Mos ta dëgjojë zërin fare. Ta tregojë unë qejfin ty’. Sakaq, gazetari më pas është nxjerr me forcë nga një oficer policie.
(ed.me/BalkanWeb)
