Dhjetëra mijëra brazilianë u bashkuan me protesta në qytete anembanë vendit të dielën për të protestuar kundër një projektligji që mund të rezultojë në amnisti për ish-presidentin Jair Bolsonaro.
Bolsonaro u shpall fajtor për komplot për grusht shteti në fillim të këtij muaji dhe është dënuar me 27 vjet burg. Ai do të mbetet në arrest shtëpiak derisa avokatët e tij të kenë shteruar të gjitha apelet.
Por aleatët e ish-liderit në Dhomën e Deputetëve kanë përshpejtuar një projektligj që mund t’i shpëtojë burgut Bolsonaros dhe të bashkëpandehurve të tij.
Demonstruesit shprehën gjithashtu zemërimin e tyre për miratimin nga dhoma e ulët e një amendamenti kushtetues, i cili do ta bënte më të vështirë nisjen e procedurave penale kundër ligjvënësve.
Sipas propozimit, anëtarët e Kongresit do të duhet të japin miratimin e tyre – në një votim të fshehtë – përpara se një ligjvënës të mund të akuzohet ose arrestohet.
Kritikët e kanë quajtur atë “Projektligji për Banditizmin”, por anëtarët e Kongresit që e mbështetën thanë se ishte e nevojshme t’i mbronin ata nga ajo që ata e quajtën “tejkalim gjyqësor”.
Amendamenti kushtetues i propozuar tani do të shkojë në Senat. Protestat e së dielës patën mbështetjen e sindikatave, grupeve shoqërore dhe partive politike të krahut të majtë dhe tërhoqën dhjetëra mijëra pjesëmarrës në disa qytete të mëdha.
Shumë prej tyre brohoritën “jo amnisti” dhe mbajtën pankarta duke e quajtur Kongresin “të paturpshëm”. Në ngjarjen në Rio de Zhaneiro, këngëtarët veteranë Chico Buarque, Gilberto Gil dhe Caetano Veloso argëtuan turmat.
Demonstratat morën gjithashtu mbështetjen e Presidentit Luiz Inácio Lula da Silva, i cili shkroi në X: “Unë mbështes popullin brazilian. Demonstratat e sotme tregojnë se popullsia nuk dëshiron pandëshkueshmëri ose amnisti.”
Presidenti Lula ka thënë gjithashtu se do të vërë veton ndaj projektligjit të amnistisë nëse ai do të miratohej nga Senati. Protestat kundër amnistisë erdhën dy javë pasi mbështetësit e ish-presidentit Bolsonaro dolën në rrugë për të denoncuar procedurat ligjore kundër tij.
Marshimet rivale janë një shenjë se sa të përçarë mbeten brazilianët lidhur me gjyqin e Bolsonaros. Shumica e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë zbuluan se Bolsonaro dhe shtatë të bashkëpandehurit e tij kishin komplotuar për t’u përpjekur të kapeshin pas pushtetit pasi ai humbi zgjedhjet ndaj Lulës në vitin 2022.
Gjykata tha se, ndërsa përpjekjet e tyre për të nisur një grusht shteti kishin dështuar për shkak të mungesës së mbështetjes nga udhëheqësit e lartë ushtarakë, ajo kishte kulmuar me sulmin ndaj Kongresit, Gjykatës Supreme dhe pallatit presidencial më 8 janar 2023 nga mijëra mbështetës të Bolsonaros.
Rendi u rivendos shpejt dhe më shumë se 1,500 njerëz u arrestuan, disa prej të cilëve morën dënime të gjata. Partia Liberale e Bolsonaros ka kërkuar një amnisti për ta dhe për ish-presidentin që atëherë.
Por ata që u mblodhën të dielën në protesta bërtitën “burg për Bolsonaronon” dhe shumë u thanë gazetarëve vendas se po “luftonin për demokracinë e Brazilit”.
Një sondazh i publikuar nga anketuesi Datafolha më 16 shtator sugjeroi që 50% e të anketuarve mendonin se Bolsonaro duhet të shkonte në burg, ndërsa 43% e 2,005 personave të anketuar thanë se ai nuk duhet të burgoset.
