Ndërsa situata në veri ka krijuar tensione mes Kosovës dhe Serbisë, Filarmonia e Beogradit do të mbajë koncert në Teatrin e Operas në Tiranë të enjten në mbrëmje nën drejtimin e dirigjentit të njohur ndërkombëtar, Zubin Mehta. Koncerti është pjesë e një turi ballkanik që filarmonia organizon me rastin e 100 vjetorit të saj por në opinionin publik ka patur diskutime sa i takon një koncerti serb në Tiranë në kohë përplasjesh.

“Programi me maestron është paracaktuar që në tetor. Sa i takon fakteve që ndodhin tani, mendoj se vetëm mendjet e mbyllura mund të krijojnë situata të pakëndshme dhe që janë kurthe që historia do t’i zhdukë. Është nismë e Ballkanit të hapur me rastin e 100 vjetorit të orkestrës së tyre”, sqaron drejtoresha TKOB.

Zubin Mehta është dirigjenti më i njohur dhe më i suksesshëm i gjallë për momentin. Ndërsa ka një lidhje të fortë dhe të gjatë në kohë me filarmoninë serbe, ardhja e tij në Tiranë edhe pse nuk luan me artistë shqiptarë, cilësohet ngjarje për skenën artistike.

“Po flasim për një burrë që e ka nisur karrierën në Viena Stats Opera. Dhe vetëm qielli ishte limiti i tij. Një nga dirigjentët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, ai që themeloi teatrin Maggio Musicale dhe i dha ngjyrën orkestrës për 50 vite. Nuk ndërhyn në buxhetin e teatrit. Është një nismë e Ministrisë së Kulturës serbe. Zubin Mehta ka qenë një lidhje paqësore në disa momente për të sensibilizuar popullsinë në fatkeqësi të mëdha dhe këtë Zubin Mehta e ka bërë më shumë se njëherë në jetë”, tha Voshtina

Në koncert luhet simfonia nr.7 e Bethohevenit dhe simfonia fantastike e Berliozit. Teatri ynë ka marrë përsipër logjistikën dhe ofron skenën ndërsa kasheja për Zubin Mehten është nga serbët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: