Dhjetëra anije komerciale i kanë lëshuar spirancat në një largësi të caktuar jashtë kufijve të porteve të Iranit ditëve të fundit, sipas të dhënave dhe burimeve të transportit detar, në kohën kur tensionet me Shtetet e Bashkuara po rriten.
Këto lëvizje shihen si masa kujdesi, duke i marrë parasysh tensionet dhe protestat e vazhdueshme në Iran, thanë burimet e transportit detar. Kufijtë e porteve janë domethënës, sepse ata bartin rrezik më të lartë për dëm kolateral në rast të sulmeve ajrore ndaj infrastrukturës afër tyre, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Shtetet e Bashkuara do të tërheqin një pjesë të personelit nga bazat që i kanë në Lindjen e Mesme, tha të mërkurën një zyrtar amerikan, pasi një zyrtar i lartë iranian tha se Teherani i kishte paralajmëruar vendet fqinje se do t’i godiste bazat amerikane, nëse Uashingtoni e sulmon Iranin.
Numri i anijeve transportuese që po lëviznin drejt zonës ekonomike ekskluzive të Iranit – rrip uji përgjatë brigjeve të tij në Gjirin Persik dhe në Detin Kaspik që zgjerohet deri në 24 milje – u rrit nga 1 në 36 nga 6 deri më 12 janar, sipas një analize të kompanisë për inteligjencë detare, “Pole Star Global”.
Të paktën 25 anije transportuese ishin në pozicion të palëvizshëm në zonën ekonomike ekskluzive të Iranit afër portit Bandar Imam Khomeini, sipas të dhënave nga kompania për analiza detare dhe përcjellje të anijeve, “MarineTraffic”.
