Stuhia shpërthen para sfidës së kthimit mes Real Madrid dhe Benfica në UEFA Champions League. Në qendër të polemikave është rasti i dyshuar i racizmit që përfshin sulmuesin madrilen Vinícius Júnior dhe talentin e Benficas Gianluca Prestianni.
UEFA ka vendosur pezullimin e përkohshëm të Prestiannit për ndeshjen e kthimit, ndërsa hetimi disiplinor është ende në zhvillim. Vendimi ka ndezur reagimin e klubit portugez, që e konsideron masën të parakohshme dhe ka paralajmëruar apelim. Nëse akuzat vërtetohen, lojtari rrezikon një ndëshkim shumë më të rëndë.
Episodi ndodhi në ndeshjen e parë në Lisbonë, ku Real Madrid fitoi minimalisht, me Vinícius protagonist në fushë dhe në qendër të tensioneve me tifozët vendas. Pamjet dhe raportet e delegatëve janë tashmë pjesë e hetimit të hapur nga UEFA.
Në “Santiago Bernabéu Stadium” pritet një atmosferë e nxehtë, jo vetëm për rëndësinë sportive të përballjes, por edhe për hijen e këtij rasti që ka tronditur prag-ndeshjen. Përveç pezullimit të lojtarit, edhe trajneri i Benficas, José Mourinho, do të mungojë në pankinë për arsye disiplinore.
Sipas informacioneve të fundit, në rrezik është edhe dreka zyrtare mes drejtuesëve më të lartë të dy klubeve, një takim ky I zakonshëm para ndeshjeve të Champions League. Një tjetër tregues që konfirmon marrëdhëniet tepër të tensionuara mes dy klubeve.
Një duel që premton spektakël në fushë, por që për momentin dominohet nga polemikat jashtë saj.
