Gazeta britanike ‘Telegraph’: Aleatja e Ramës po e mban postin edhe pse ka urdhër-arresti ndaj saj, parlamenti shqiptar zhytet në kaos
Media prestigjioze britanike, The Telegraph i ka kushtuar një artikull zhvilimeve të fundit politike në Shqipëri, duke vendosur theksin te tensionet e krijuara mes opozitës dhe mazhorancës në Kuvend teksa zv/kryeministrja Belinda Balluku po mban postin edhe pse SPAK kërkon arrestimin e saj dhe autorizimin nga Kuvendi për të kryer ndalimin.
Parlamenti i Shqipërisë u përfshi nga kaosi të enjten, kur deputetë të opozitës ndezën flakadanë dhe hodhën ujë gjatë një përplasjeje mbi akuzat për korrupsion ndaj qeverisë.
Deputetët u përleshën me rojet e sigurisë, hodhën shishe drejt drejtuesit të seancës dhe zunë vendet e rezervuara për ministrat e qeverisë, duke ndërprerë punimet e seancës parlamentare në kryeqytetin Tiranë.
Ata kërkuan të shihnin akuzat e ngritura ndaj Belinda Ballukut, zv/kryeministre e Shqipërisë dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Znj. Balluku, aleatja më e afërt në kabinet e kryeministrit Edi Rama, akuzohet për ndërhyrje në procesin e prokurimeve publike në disa projekte të mëdha infrastrukturore. Këto projekte përfshijnë Unazën e Tiranës dhe një projekt tuneli me vlerë 190 milionë euro.
Ajo i hodhi poshtë akuzat muajin e kaluar, duke i quajtur “baltosje, insinuata, gjysmë-të-vërteta dhe gënjeshtra”, dhe u zotua se do të bashkëpunojë me drejtësinë.
Znj. Balluku vazhdon të mbajë postin e saj pavarësisht se Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë, që lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar, ka lëshuar një urdhër arresti ndaj saj. SPAK i ka kërkuar parlamentit t’i heqë imunitetin dhe të lejojë arrestimin e saj. Një votim pritet të mbahet të premten.
Partia Socialiste në pushtet e z. Rama ka shumicën në parlament, me 83 nga 140 mandate.
Kryeministri ka mbrojtur zv/kryeministren e tij, duke thënë se ajo është nën presion “antikushtetues dhe antidemokratik”.
Partia Demokratike e Shqipërisë, në opozitë, e ka akuzuar Partinë Socialiste për manipulim zgjedhor dhe për minimin e demokracisë.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u bëri thirrje deputetëve të “respektojnë institucionin e parlamentit”. Ai shtoi: “Nuk mund ta shkatërrojmë shtetin në këtë mënyrë.”
Deputetë të opozitës shpalosën pankarta ku e krahasonin kryeministrin me diktatorin panamez Manuel Noriega, duke e quajtur “Noriega i Europës”.
Jorida Tabaku, deputete e opozitës, akuzoi kryeministrin për “mbrojtje politike për zv/kryeministren e tij”.
Znj. Balluku, ministre e Energjisë që prej vitit 2019 dhe zv/kryeministre që prej vitit 2022, është zyrtarja më e lartë shtetërore ndonjëherë e akuzuar nga Prokuroria e Posaçme.
Shqipëria konsiderohet një nga kandidatët kryesorë në Ballkanin Perëndimor për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Megjithatë, organizata ndërkombëtare vëzhguese thonë se vendi vazhdon të vuajë nga korrupsioni endemik dhe nga përqendrimi i pushtetit në duart e Partisë Socialiste, e cila është në qeveri që prej vitit 2013.
