Tregjet ndërkombëtare të energjisë reaguan me një rritje të fortë të çmimeve të naftës, pasi Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi vendosjen e tarifave të tranzitit në Ngushticën e Hormuzit dhe një bllokadë të re ndaj porteve iraniane, duke rritur frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Nafta Brent e Detit të Veriut, për dorëzim në shtator, u rrit me 9.59%, duke u mbyllur në 83.30 dollarë për fuçi, niveli më i lartë në javët e fundit dhe rritja më e madhe brenda një seance tregtare që nga fillimi i luftës.
Edhe nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) për dorëzim në gusht u rrit me 9.42%, duke arritur në 78.14 dollarë për fuçi.
Sipas analistëve të Eurasia Group, tregjet deri tani kishin minimizuar ndikimin e sulmeve ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit, por përshkallëzimi i ri i tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit ka ndryshuar ndjeshëm perceptimin e investitorëve dhe ka rritur shqetësimet për furnizimin global me naftë.
Ndërkohë, Wall Street e mbylli seancën e së hënës në territor negativ. Indeksi S&P 500 humbi 0.78%, ndërsa Nasdaq ra me 1.55%, i ndikuar kryesisht nga rënia e aksioneve të kompanive të teknologjisë. Edhe Dow Jones shënoi rënie prej 0.26%, ose rreth 138 pikë.
Nën presion u gjend edhe sektori i gjysmëpërçuesve. Aksionet e SK Hynix ranë me 9%, ndërsa Micron Technology humbi 4%, Sandisk u tkurr me 12%, Seagate Technology me 5%, Advanced Micro Devices (AMD) me 4% dhe Intel me 6%.
Investitorët po presin gjithashtu publikimin e të dhënave të inflacionit në SHBA për muajin qershor. Sipas parashikimeve të ekonomistëve të anketuar nga Dow Jones, inflacioni pritet të shënojë një rënie mujore prej 0.2%, ndërsa në bazë vjetore pritet të arrijë në 3.8%.
