Gazetari Julian Hoxhaj, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te tensionet e raportuara brenda Partisë Socialiste pas mbledhjeve të fundit.

Sipas tij, situata e krijuar në PS nuk përbën një krizë reale, por një “show” i qëllimshëm që, sipas tij, i shërben kryeministrit Edi Rama dhe Belinda Balluku për të larguar vëmendjen nga çështje të tjera.

“Në mendimin tim është një show i radhës ajo që po ndodh në PS dhe kjo i intereson vetëm Ramës dhe Ballukut për të hequr vëmendjen nga aferat,” u shpreh Hoxhaj.

Ai theksoi se, pavarësisht zërave kritikë brenda mazhorancës, situata nuk ka arritur në një pikë krize. “Ka deputetë brenda PS që nuk janë dakord me Ramën, sidomos për qëndrimet ndaj çështjeve të drejtësisë dhe menaxhimit të infrastrukturës, por kjo nuk do të thotë se kemi një përçarje të hapur,” tha ai.

Hoxhaj u ndal edhe te figura e Elisa Spiropali, për të cilën tha se, gëzon mbështetje nga disa figura të rëndësishme brenda PS, por se ende nuk e sheh si një faktor që mund të krijojë një rrymë të fortë kundër Ramës.

“Do të doja të ishte reale një përballje e tillë, sepse është e nevojshme të kuptohet se çfarë po ndodh brenda Partisë Socialiste dhe çfarë mendojnë realisht anëtarët e saj,” përfundoi gazetari.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb