Një ngjarje e rëndë ka tronditur Heraklionin në ishullin e Kretës në fund të muajit të kaluar, ku një 58-vjeçar akuzohet për tentativë vrasjeje ndaj një fëmije 8-vjeçar.
Sipas autoriteteve greke, i dyshuari, pronar i banesës ku jetonte familja me qira, u paraqit këtë të premte para gjykatës dhe u la në qeli. Ai kërkoi falje për ngjarjen, por pas përfundimit të seancës, gjyqtari dhe prokurori vendosën masën e paraburgimit ndaj tij.
Sipas kallëzimit të nënës së fëmijës, incidenti ndodhi më 30 qershor, kur 58-vjeçari, i irrituar nga zhurmat e dy fëmijëve, 8 dhe 11 vjeç, hyri me forcë në apartament në një moment kur nëna nuk ndodhej në banesë.
Gruaja pretendon se burri fillimisht kërcënoi fëmijët, më pas goditi 8-vjeçarin në fytyrë dhe dyshohet se i vendosi një jastëk mbi fytyrë, duke tentuar ta mbyste dhe duke i rrezikuar jetën.
Fillimisht, ndaj 58-vjeçarit u ngritën akuza për prishje të qetësisë, lëndim trupor dhe kërcënim. Megjithatë, pas paraqitjes së tij para prokurorit dhe vlerësimit të provave, akuza u rëndua në tentativë vrasjeje.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.
