Një 37-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi akuzohet se tentoi të shfrytëzonte për prostitucion ndërmjet mashtrimit, dhunës fizike e psikologjike, bashkëjetuesen dhe vajzën e saj të mitur, ndërkohë që është vënë në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Bëhet fjalë për shtetasin me inicialet T. P., 37 vjeç, banues në fshatin Bardhaj të Shkodrës.
Gjithashtu u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi me inicialet Z. F., 41 vjeç, banues në Shkodër.
37-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin me inicialet Z. F., 41 vjeç, nëpërmjet mashtrimit e ka trafikuar bashkëjetuesen, shtetasen L. Gj., në Gjermani dhe ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj, me qëllim që ta shfrytëzonte për prostitucion gjatë kohës që bashkëjetonte me të Gjermani. Gjithashtu, shtetasi T. P. ka tentuar përsëri për ta trafikuar në Gjermani, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion, këtë shtetase, bashkë me vajzën e saj të mitur, të cilave u kishte marrë dhe pasaportat biometrike.
Në banesën e shtetasit T. P., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale pasaportat biometrike të shtetases L. Gj. dhe të vajzës së saj të mitur. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim”.
(BalkanWeb)
