TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda mbyll hetimet për menaxherin e shoqërisë së udhëtimit, i cili tentoi të trafikonte drogë drejt Italisë. Organi i akuzës ka kërkuar 12 vite burg për Viktor Nokën, ndaj të cilit rëndon akuza e “trafikimit të lëndëve narkotike” e mbetur në tentativë. Sipas dosjes së prokurorisë, Noka vitin e kaluar tentoi të kalojë drejt Italisë 10 pako me drogë, e cila në total peshonte afro 3 kilogramë.
DOSJA
“Nga analiza dhe vlerësimi i tërësisë së provave, u provua fakti se i pandehuri Viktor Noka punonte në një zyrë agjencie shitje biletash për jashtë shtetit, me qendër në Laç. Për shkak të punës që bënte, Noka kishte njohje me menaxherin e shoqërisë së udhëtimit “M…V…”, dëshmitarin A.C., i cili në dijeni të pandehurit shoqëronte autobusët e linjës së udhëtimit për në Itali nga Tirana deri në Shkodër.

I pandehuri vendosi që një sasi lënde narkotike ta fshihte në një valixhe dhe atë ta nxirrte në rrugë në orarin e mbërritjes së autobusit tek mbikalimi u Patokut dhe t’ia jepte atë menaxherit të autobusit të linjës, A.C., për t’ia dërguar me autobus në Itali, si porosi të një personi tjetër. Dhe në fakt, i pandehuri kështu bëri, valixhen brenda së cilës policia gjeti sasinë e narkotikut e dërgoi tek autobusi. U provua fakti se valixhja kishte si destinacion përfundimtar Italinë, si “porosi” për një person atje, i cili me mbërritjen e autobusit në Itali do të dilte ta merrte atë.

Dërgimin e valixhes në Itali duke e transportuar me autobus, i pandehuri Viktor Noka e bëri duke shfrytëzuar faktin se ai kishte njohje me menaxherin e autobusit të linjës, së shoqërisë, i cili pranoi që valixhen ta fuste në autobus, edhe duke e njohur nga afër të pandehurin, me të cilin e lidhte edhe puna, pasi dhe i pandehuri kishte një zyrë shitjeje biletash për udhëtime jashtë shteti me qendër në Laç.

Në fakt, në valixhe u gjet bashkëngjitur dhe letra me emër e mbiemër të dërguesit e numër telefoni dhe emër e mbiemër të marrësit me numër telefoni dhe kjo shërbeu që i pandehuri të bëhej dhe më i besueshëm për dëshmitarin A.C., për të mos dyshuar që në valixhe të kishte diçka të kundraligjshme, siç në fakt rezultoi më pas. I pandehuri me arritjen e futjes së valixhes në autobus, u nda nga menaxheri i autobusit dhe u kthye në Laç, duke “shpresuar” se valixhja do të dërgohej në destinacion, në Itali, ku do dilte ta merrte bashkëpunëtori i tij, me të cilin kishte rënë dakord që më parë.

Pretendimet e të pandehurit se nuk kishte dijeni për ekzistencën e pakove me narkotikë në valixhe dhe valixhja ishte porosi e një personi tjetër dhe se thjesht ia kishte marrë përsipër t’ia niste me autobusin e linjës në Itali, pasi personi që ia kishte dhënë i kishte thënë se pronari i saj kishte udhëtuar më parë në Itali me avion, rezultoi i pavërtetë. Të gjitha njoftimet e marra nga provat tregojnë se është i pandehuri që ka siguruar sasinë e narkotikut dhe e ka fshehur atë në fund të valixhes, për ta dërguar më pas në Itali, përmes transportimit të saj atje me autobusin e linjës, ku me mbërritjen e autobusit në destinacion, atë do dilte ta merrte bashkëpunëtori i tij, ende i paidentifikuar.

U provua se i akuzuari, me vetëdije të plotë kishte ndërmarrë veprime aktive për të transportuar në Itali sasinë e lëndës narkotike që e siguroi në Shqipëri dhe që e ngarkoi në një autobus për ta dërguar në Itali. Vetë Noka nuk vijoi udhëtimin me autobus për në Itali, në shoqërim të valixhes ku do sekuestrohej lënda narkotike”, citohet në dosjen e organit të akuzës. Në përfundim, prokuroria kërkon deklarimin fajtor të Nokës dhe dënimin e tij me 12 vite burg.

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb