KAVAJË- Me kërkesë të Prokurorisë së Kavajës, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Fadil Kasëmi, i cili u arrestua të dielën pasi tentoi të vriste ish-bashkëshorten e tij.
Nga studimi i të dhënave të dokumentuara nga Policia Gjyqësore dhe verifikimet e bëra nga prokurori, rezulton se rreth orës 16:00 të datës 19.07.2015 shërbimet e policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë informacion se në vendin e quajtur plazhi i Golemit të rrethit Kavajë në afërsi të një hoteli, shtetasi Fadil Kasëmi ka kanosur me anën e një pistolete që e mbante pa leje të organeve kompetente, në prani të fëmijëve, ish-bashkëshorten e tij, shtetasen Fildes Hafizi.
Shtetasja Fildes Hafizi ka kallëzuar se ka qenë e martuar me shtetasin Fadil Kasëmi e se në muajin maj të këtij viti ishin divorcuar, divorc për të cilin Fadili nuk ka qenë dakord. Para disa ditësh ajo ka ardhur në plazh në Golem së bashku me nënën dhe dy fëmijët, të cilët i ka në kujdestari, ku ka marrë një dhomë me qira. Për lëvizjen e fëmijëve ajo ka vënë në dijeni të atin e tyre, shtetasin Fadil Kasëmi. Fëmijët kanë mbajtur lidhje me të atin, duke e telefonuar disa herë në ditë.
Çifti ka patur probleme e mosmarrëveshje gjatë kohëve të fundit dhe shtetasja Fildes Hafizi, duke u ndjerë e rrezikuar, i është drejtuar Gjykatës së Shkallës se Parë Tiranë me kërkesë për lëshim të urdhrit të mbrojtjes, por në gjykimin e kërkesës së saj ajo nuk është paraqitur e për pasojë gjykata ka pushuar gjykimin.
NGJARJA
Më 19.07.2015, rreth orës 16.00, Fildes Hafizi së bashku me djalin e saj A. Kasëmi, ka dalë nga banesa për të shkuar në plazh, kur ka parë se drejt tyre po afrohej ish-bashkëshorti i saj, shtetasi Fadil Kasemi, i cili kur ka konstatuar se Fildesi e ka parë është afruar me vrap pa i lënë mundësi asaj që të largohet apo të fshihet. Sapo e ka arritur, Fadili ka tentuar të hapte një çante (marsupio) dhe të nxjerrë diçka prej saj. Firdusi, duke dyshuar se ai donte të nxirrte armë, i është drejtuar duke iu lutur që të mos i linte fëmijët jetimë, si edhe ka tentuar t’i marrë çantën.
Fadili ka reaguar duke e goditur në fytyrë me grusht dhe e ka rrëzuar në rërë. Ata janë përleshur fizikisht me njëri-tjetrin e aty fillimisht ka ndërhyrë djali i tyre, i cili ka parë të atin të hapë çantën e të tentojë të nxjerrë prej andej një send, që ka qenë pistoletë, por që nuk e ka nxjerrë atë. Po ashtu, kanë ndërhyrë edhe persona të tjerë. Duke përfituar nga kjo ndërhyrje, Fildesi ka mundur t’i marre çantën që kishte rënë në tokë e të vrapoje drejt hotel “Horiozontit” ku ka kontaktuar me pronarin, shtetasin S.GJ., i cili ka konstatuar se kjo shtetase kishte shenja në fytyrë dhe po bërtiste: “Po më vret, po më vret” dhe i ka kërkuar ndihmë si dhe të njoftonte policinë. Policia ka mbërritur shumë shpejt e shtetasja Fildes Hafizi i ka dorëzuar çantën, të cilën e kishte patur Fadili Kasemi.
Brenda në këtë çantë policia gjeti e sekuestroi një armë zjarri pistoletë TT model 54 me krehër të vendosur në të.
Pas ngjarjes, Fadili është ulur në shezlon, duke mbajtur kokën me duar dhe kur ka shkuar policia për ta shoqëruar është prezantuar me gjeneralitete të sakta dhe nuk ka paraqitur asnjë rezistencë. Nga verifikimi me gyp-indikator alkooli rezultoi se shtetasi Fadil Kasemi kishte përdorur pije alkoolike dhe përmbajtja e alkoolit ishte 0,1% – 0,2 %. Ai ka pretenduar se ka konsumuar vetëm raki dhe verë në sasi qe nuk justifikojnë atë shkallë përqendrimi të konstatuar.
Shtetasi Fadil Kasëmi ka pretenduar se ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe nuk i perceptonte drejt gjërat, por ka thënë se arma dhe çanta nuk janë të tijat, por në lidhje me çantën ka pretenduar se ajo i përkiste një personi që nuk e njihte e që e kishte provokuar duke iu ulur në tavolinë, si dhe që i kishte marre çelësat e veturës dhe i kishte futur në çantë. Vetura tip “BMË, çelësat e të cilës u gjeten e u sekuestruan ne çantën ku ishte pistoleta i përket shtetasit Fadil Kasëmi, i cili e kishte blerë pa bërë dokumentet përkatëse, pasi e kishte në provë për disa dite.
Nga këqyrja trupore e shtetases Fildes Hafizi konstatohet në fytyrë shenjë dhunë fizike në të. Kjo shtetase është pajisur me vendim për ekspertim mjekoligjor, ekspertimi cili nuk është kryer ende.
Arma e sekuestruar është dërguar për ekspertim dektikloskopik vlerësues e teknik balistik
Shërbimet e policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë Kavajë, fillimisht kanë shoqëruar shtetasin Fadil Kasëmi për në Komisariatin e Policisë Kavajë e më pas, ndaj tij u vendos masa e arrestit në flagrancë.
Në kontrollim e veturës nuk rezultoi të gjendej apo sekuestrohej ndonjë send i kundër-ligjshëm.
Faktet e mësipërme përmbajnë elemente të veprës penale të prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të dhunës në familje.
Shërbimet e policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë Kavajë vendosën masën e “arrestimit në flagrance” ndaj Kasëmit, pasi ai është kapur me sende të kundër-ligjshme që përbëjnë objektin e veprës penale si dhe është në ndjekje nga personi i dëmtuar për veprën penale. Këto shërbime të policisë gjyqësore kanë vendosur masën e “arrestimit në flagrancë” ndaj tij. Vetë i arrestuari Fadil Kasëmi nuk ka paraqitur asnjë pretendim lidhur me veprimet e policisë gjatë arrestimit te tij.
(m.k/BalkanWeb)
