SHKODËR- Kryeministri Edi Rama bashkë me Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj ishin mesditën e së martës në Shkodër ku morën pjesë në inaugurimin e vënies në eficencë të plotë të repartit të imazherisë, pediatrisë dhe patologjisë në spitalin rajonal të këtij qyteti. Ajo që ra në sy si asnjëherë tjetër ishin masat e rrepta të sigurisë. Shkodra është shoqëruar me blindimin e qytetit nga forcat e policisë së rendit, garda, agjentë civil dhe të policisë kriminale. Në disa rrugë u anulua qarkullimi i automjeteve, ndërsa gjatë itinerarit të lëvizjes së kryeministrit u ushtruan kontrolle të rrepta.

Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Rama viziton Shkodrën ndërsa kësaj here kjo ngjalli habi tek mediat. Me mbërritjen e kryeministrit ajo që ra në sy ishin çadrat ku secili nga punonjësit e gardës ishte i pajisur me nga një të tillë.

Ndërsa aktiviteti zhvillohej pa praninë e medias një qytetare ka tentuar të futej në ambientet e spitalit që ta takonte kryeministrin por nuk është lejuar nga garda. Qytetarja ka denoncuar mungesën e medikamenteve në spital, ndërsa thotë se ka dashur të takojë kryeministrin për t’i shprehur ankesat e saj.

“Doja t’i thosha Ramës të merren masa për ilaçe. Detyrohem t’i blej ilaçet jashtë, 300€ një ilaç”, ka thënë gruaja e cila trajtohet për kancer në Spitalin e Shkodrës. Më pas vizita e Ramës u pasua me një takim me strukturat e PS-së, i cili u zhvillua me dyer të mbyllura.

(m.k/d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: