Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Pogradec. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se një 17-vjeçar ka rënë pre e dhunës barbare, dhe është tentuar që të merret me forcë në makinë nga dy persona.
Ndërkohë, siç shihet nga pamjet, adoleshenti është dhunuar dhe goditur me thikë në dorë nga autorët e dyshuar Marjo Xhangolli dhe Aljan Hilaj, të cilët ndodhen pas hekurave.
NJOFTIMI I POLICISE
Tentuan të merrnin me forcë, në automjet, një 17-vjeçar, ushtruan dhunë fizike ndaj tij dhe e dëmtuan me thikë, për motive të dobëta, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas. Menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt në lagjen nr. 3, Pogradec, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec janë nisur drejt adresës së dhënë, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të Policisë, në kuadër të operacionit të koduar “Fast”, u identifikuan shtetasit M. Xh. dhe A. H., të cilët ishin larguar nga vendngjarja, me automjet. Ata u kapën dhe u ndaluan në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Prrenjas.
Nga hetimet dyshohet se këta dy shtetas kanë tentuar të marrin me forcë në automjetin e tyre, një 17-vjeçar me të cilin ishin konfliktuar për motive të dobëta, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij dhe e kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë), në dorë. 17-vjeçari mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën. Në përfundim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetasit M. Xh., 33 vjeç dhe A. H., 32 vjeç, banues në Pogradec, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
