Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe këtë të enjte rubrikën e tij të komunikimit me qytetarët “Sy m’Sy”, duke iu përgjigjur akuzave që i drejtohen nga opozita dhe kritikët.

Ai ironizoi komentet për stilin e fushatës së Partisë Socialiste dhe rikujtoi se “timonin” e pushtetit e përdori për të çuar përpara reforma të thella, si ajo në drejtësi. Sipas tij, pa një qeverisje të qëndrueshme dhe vendosmëri politike, reforma nuk do të ishte realizuar.

Ndër të tjera, Rama hodhi poshtë akuzat për përfshirje të zyrtarëve të PS-së në probleme me drejtësinë, duke theksuar se ata nuk janë pjesë e kabinetit aktual dhe se vetë qeveria mbështet drejtësinë pa ndërhyrje politike.

Ai kritikoi gjithashtu përbuzjen ndaj kulturës popullore, duke mohuar që PS të bëjë fushatë me “tallava”, siç pretendohet.

“Thonë Rama bën fushatë me timon, tepsi, e tani me pasaportat.

Reformën në drejtësi e bëri timoni sepse nëse nuk do të ishim forca e vetme në qeveri me vendosmëri nuk do të bëhej, sepse palët e tjera nuk e duan atë që po ndodh me drejtësinë.

Thonë pastaj gjysma e qeverisë është në burg. Kjo nuk është e vërtetë. Pastaj ata që kanë probleme me drejtësinë janë anëtarë kabinetesh të mandateve të mëparshme, rëndësi ka fakti që ne jemi në mbështetje të procesit, nuk i vëmë pushtetin politik si karrocën para kalit drejtësisë.

Thonë fushata e PS është tallava e tallje. Si është e mundur? Këta nuk dinë çfarë është tallavaja, janë përbuzës të kulturës shqiptare”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb