Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.0 ballë goditi Tibetin në Kinën perëndimore mbrëmjen e së enjtes, duke ngritur shqetësime për pasojat në zonën e prekur.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), lëkundjet u regjistruan në orën 22:30, sipas kohës lokale. Epiqendra ndodhej rreth 183 kilometra në lindje-verilindje të qytetit Nagqu, në Rajonin Autonom të Tibetit.

Janë publikuar pamjet e para pas tërmetit, ndërsa ende nuk ka të dhëna të konfirmuara për viktima, të lënduar apo shkallën e dëmeve materiale, raporton CNN.

Kina përballet shpesh me tërmete të fuqishme, veçanërisht në pjesën jugperëndimore, ku takohen pllaka tektonike indiane dhe ajo euroaziatike. Përplasja mes tyre ka krijuar vargmalin e Himalajeve dhe pllajën e Tibetit, duke e bërë rajonin një zonë me aktivitet të lartë sizmik.

Në janar të vitit 2024, një tërmet me magnitudë 7.1 goditi një zonë të largët malore në rajonin Xinjiang, duke shkaktuar tre viktima dhe dhjetëra të plagosur. Ndërsa në dhjetor të vitit 2023, më shumë se 100 persona humbën jetën nga tërmeti që goditi qarkun Jishishan, në provincën Gansu.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: