Një tërmet u regjistrua mbrëmjen e kaluar në Maqedoninë e Veriut, sipas njoftimit të Rrjetit Telemetrik Sizmologjik të vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, lëkundja sizmike u regjistrua në orën 22:06 nga stacionet sizmologjike të shpërndara në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, të cilat mirëmbahen nga Observatori Sizmologjik pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematikës në Shkup. Epiqendra e tërmetit është lokalizuar në zonën Peshtani–Ohër–Strugë, rreth 103 kilometra në jugperëndim të Shkupit.
Tërmeti kishte një magnitudë lokale prej ML 2.8 sipas shkallës Rihter. Sipas informacioneve paraprake të observatorit, lëkundjet janë ndjerë në qytetin e Ohrit dhe në zonat përreth me një intensitet prej 4 shkallësh sipas Shkallës Evropiane të Makroseizmikës.
Deri në këto momente nuk raportohet për dëme materiale apo persona të lënduar, ndërsa institucionet përkatëse vijojnë monitorimin e situatës sizmike në zonë.
