Momente paniku janë regjistruar brenda kabinës së pilotit të një Airbus A320, teksa një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 goditi Kolumbinë. Avioni ndodhej në Aeroportin Ndërkombëtar Matecaña, në Pereira, dhe po përgatitej për ngritje kur nisën lëkundjet e forta.
Pamjet e publikuara nga media kolumbiane El Tiempo tregojnë Airbus A320 duke u lëkundur fuqishëm ndërsa ndodhej në pistë. Sipas raportimeve, dridhjet zgjatën rreth 46 sekonda, duke shkaktuar momente frike dhe tensioni mes personelit dhe pasagjerëve.
Pavarësisht intensitetit të tërmetit, pas përfundimit të lëkundjeve avioni vijoi procedurat e planifikuara dhe u ngrit nga aeroporti i Pereira-s. Tërmeti shkaktoi dëme edhe në infrastrukturën e aeroportit. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë shembjen e një pjese të çatisë në një zonë ku ndodheshin disa persona. Sipas kryetarit të bashkisë së Pereira-s, Mauricio Salazar, tre persona humbën jetën në këtë incident. Ndërkohë, bilanci i viktimave në Pereira është rritur ndjeshëm. Sipas të dhënave të fundit të Departamentit të Zjarrfikësve të qytetit, 66 persona kanë humbur jetën, ndërsa dhjetëra ndërtesa dhe banesa janë shembur si pasojë e tërmetit. Pamjet nga kabina e Airbus A320, ku avioni tronditet fuqishëm ndërsa ndodhet në pistë, kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale dhe tregojnë qartë forcën e lëkundjeve.
