TIRANË

Sizmologu Edmond Dushi ka folur në studion e News24 për tërmetin apokaliptik në Turqi dhe informacionin që disponon mbi pasgoditjet.

Ai tha se tërmeti i dytë i fuqishëm sot në drekë tregon se zona e aktivizuar është shumë më e madhe dhe se do të vijojë aktiviteti sizmik.

News24 dhe BalkanWeb kanë sjellë sot gjatë gjithë ditës informacione mbi tërmetin e fuqishëm dhe pasgoditjet në Turqi e Siri që lanë pas mijëra të vdekur e të plagosur.

BE ka aktivizuar ndihmën emergjente për Turqinë, teksa Greqia ka nisur një avion me 21 zjarrfikës të forcave speciale, mjekë dhe qen për t’iu ardhur në ndihmë forcave turke. Në një bisedë në studio mes gazetarëve dhe ekspertëve u diskutua situata në Turqi si dhe ajo që mund të pritet.

Gazetarja Ira Londo nga Greqia tha se kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis do të ketë një mbledhje për situatën emergjente në Turqi.

“Ministri i Brendshëm ka drejtuar një mesazh ngushëllimi dhe solidarizimi. Tërmeti në Turqi është fjala e ditës në Greqi. Sot është nisur dhe avioni i parë me 21 zjarrfikës të forcave speciale, 5 mjekë dhe dy qen të specializuar për t’iu dhënë ndihmë kolegëve turq.

Kryeministri grek do ketë dhe një mbledhje për situatën emergjente të shkaktuar nga tërmeti në Turqi dhe Siri”, raportoi Ira Londo nga Greqia.

Ndërkohë sizmologu Edmond Dushi tha se tërmeti në Turqi lidhet me një nga degët tektonike, atë që quhet thyerja anatoliane lindore dhe se ndodh pas 100 vitesh i përmasave të tilla.

“Tërmeti është thellësisht një dukuri e pastër tektonike, lidhet me një nga degët tektonike. Dy janë burimet kryesore ose thyerjet dominuese, dega e Anatolisë veriore dhe thyerja anatoliane lindore që përshkon pikërisht këtë rajon. Tërmeti i orëve të parëve të mëngjesit ndodh pas 100 vitesh i një përmase të tillë. Tërmetet e forta janë ata që ndodhin dhe më rrallë. Zhvillimi i një energjie të akumuluar për një kohë të gjatë. Sa më e gjatë të jetë koha, aq më e madhe do jetë energjia e çliruar. Janë zona të shkatërrimit ku pllaka tektonike takojnë njëra-tjetrën”, tha ai.

Gazetarja Marsela Karapanço raportoi nga Stambolli ku ndodhet së bashku me mijëra qytetarë të tjerë pasi një stuhi bore ka goditur vendin.  Ajo tha se në mes të janarit ishte parashikuar një tërmet i fuqishëm nga sizmologët turk.

“Pati një tërmet më 15 janar të këtij viti, me një forcë prej 4.6 të shkallës rihter dhe sizmologët kishin parashikuar një tërmet më të madh”, tha ajo.

Sa i përket mundësisë së parashikimit sizmologu Dushi tha se ne nuk mund të themi ekzaktësisht nëse do ndodhë një tërmet në një vend të caktuar apo sa do jetë magnituda. “Ka raste kur ne monitorojmë dukuri parasizmike të cilat kanë tendencën të grumbullohen në zona të caktuara, duke u përshkallëzuar më pas në një dukuri më të fortë”, tha Dushi.

Lidhur me goditjen e dytë të fortë pas mesditës së sotme me magnitudë 75, që ishte pothuajse sa tërmeti i parë (7.7), sizmologu Dushi tha se deri në momentin që nuk e kishim regjistruar këtë tërmet, na prevalonte si pasgoditje kryesore ajo e mëngjesit pas goditjes së madhe me magnitudë 6.7.

“Ndodhja e këtij tërmeti tregon që zona e aktivizuar është shumë më e madhe nga ajo që ishte menduar. Është dhënë rreth 100 km. Ne zakonisht i quajmë dubleta, tërmete që ndodhin në të njëjtën zonë tektonike. Kjo tregon që e gjithë zona prej 100 km është shumë aktive dhe do jetë aktive për një kohë shumë të gjatë. Goditja në fjalë nuk mund ta quajmë pasgoditje direkte, sepse ka një distancë të konsiderueshme nga goditja e parë. Problematika e pasgoditjeve do jetë prezente. Ndodhja e këtyre që ne i konsiderojmë dubletë, çift tërmetesh na tregojnë që zona është shumë aktive.

Në distancën që jemi ne, nga rajoni ku ka ndodhur tërmeti, është shumë e vështirë të monitorojmë mikrogoditjet. Ne mund të monitorojmë vetëm tërmetet e mesme. Bazuar në numrin e këtyre tërmeteve të moderuara ne kuptojmë që zona është shumë e ngarkuar dhe mund të zgjasë me javë.

Ne kemi një numër prej 9 stacionesh sizmologjike të cilat janë të lidhura me rrjetin global, shkëmbejmë informacione me Turqinë apo Greqinë. Pa këtë informacion të nevojshëm ne nuk jemi në gjendje të monitorojmë tërmetet”, tha sizmologu Dushi.

Gazetarja Marsela Karapanço rrëfeu se lëkundjet ishin ndjerë dhe në aeroportin e Stambollit, pavarësisht se një distancë e largët nga epiqendra e tërmetit.

“Sot në aeroport shumë qytetarë që do të udhëtonin, por që u anuluan për shkak të stuhisë së borës që e kanë e ndjerë tërmetin. Dyshemeja u drodh.

Ne ishim të ulur në stola dhe e ndjemë tërmetin dhe menduam se lëkundja vinte nga shkallët elektrike që kishim pas. Pra, duke parë distancën 1100 km sërish u ndje, çka tregon atë që sizmologu tha se zona me aktivitet është e madhe”, tha gazetarja.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb