Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, deklaroi nga Kuvendi se reforma territoriale e ka “copëtuar Shqipërinë” dhe ka sjellë mungesë të theksuar shërbimesh për qytetarët, duke e cilësuar atë një dështim të plotë.
Sipas Boçit, vendi është lënë “bosh” dhe pa funksionim normal të administratës lokale, ndërsa e njëjta mazhorancë, sipas tij, po përpiqet ta rikthejë sërish të njëjtën reformë. “E bëtë copë Shqipërinë me reformën territoriale dhe sot nuk ka shërbime. E keni boshatisur vendin dhe tani jeni po ju që doni ta bëni prapë,” u shpreh deputeti demokrat.
Ai theksoi se Partia Demokratike do të paraqesë alternativën e saj për reformën territoriale dhe paralajmëroi se opozita do ta çojë këtë çështje edhe në shesh, përmes protestave. “Ne do të japim opsionin tonë. Ajo që keni bërë është turp mbi turp. Ky Parlament është i mbushur me turp,” deklaroi Boçi.
