Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër pas rrethimit të ambienteve të televizionit News 24, duke e cilësuar këtë si një akt të paprecedentë që tregon “fytyrën e vërtetë të regjimit të Edi Ramës”.
Sipas Këlliçit, ky është “hapi i fundit drejt instalimit të një diktature”, e cila prej 12 vitesh po u imponohet shqiptarëve. Ai kujtoi se vetëm tre vite më parë, News 24 ishte shënjestër e një sulmi me tritol, të cilin e cilësoi si “paralajmërim për aktin e sotëm”.
“News 24 është një media profesionale, zë i vërtetë dhe i domosdoshëm në tregun mediatik shqiptar, i cili dita-ditës po i largohet misionit të tij real duke u vënë në shërbim të plotë të propagandës qeveritare,” tha ai, duke theksuar se valët e këtij televizioni duhet të mbrohen si një “pasuri kombëtare”.
Këlliçi paralajmëroi se askush nuk duhet të mendojë se do të mbetet i paprekur: “Kushdo që mendon se nuk do t’i vijë radha, e ka shumë gabim,” u shpreh ai.
