Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot kryeqytetin grek Athinë, ku një burrë 89-vjeçar ka hapur zjarr në dy institucione të ndryshme, duke lënë disa persona të plagosur dhe duke u larguar nga vendngjarja.

Sipas autoriteteve, i moshuari fillimisht ka hyrë me forcë në zyrat e EFKA në zonën Kerameikos, ku ka qëlluar me armë një punonjës në këmbë në katin e katërt të ndërtesës. Më pas, ai është larguar me taksi dhe, duke fshehur armën, është drejtuar drejt Gjykata e Apelit e Athinës, ku ka hapur zjarr sërish, duke plagosur katër gra të tjera, punonjëse të gjykatës.

Të gjitha viktimat janë dërguar në spitalin “Kryqi i Kuq”, ndërsa sipas mjekëve plagët e tyre janë të lehta dhe jashtë rrezikut për jetën. Dëshmitarë okularë kanë përshkruar skena paniku brenda ndërtesave, duke thënë se autori ka qëlluar disa herë dhe më pas është larguar me shpejtësi, duke lënë pas edhe letra të ndryshme.

Autoritetet greke kanë nisur një operacion të gjerë kërkimi për kapjen e tij, ndërsa raportohet se ai është i njohur si mbledhës mbeturinash dhe dyshohet se vuan nga probleme psikologjike. Policia po heton gjithashtu mënyrën se si autori arriti të lëvizte mes dy institucioneve pa u ndaluar dhe nëse ka pasur ndonjë ndihmë të mundshme gjatë arratisjes së tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: