Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër lidhur me rrethimin e godinës së News24 nga policia ditën e sotme, duke akuzuar drejtpërdrejt Ardi Veliun për rolin e tij në këtë operacion.

Salianji e përshkruan Veliun si “prototipin e njeriut antiligj” — një ushtar i bindur i pushtetit, i cili sipas tij është analfabet dhe i katapultuar në krye të disa institucioneve për të mbajtur lidhjet me krimin, sajuar dëshmitarë të rremë dhe shkelur ligjin kurdo që është e nevojshme për të mbrojtur të korruptuarit në majë të shtetit.

Ai thekson se nga dosjet që e lidhin me grupe kriminale, deri te përdorimi i dhunës ndaj qytetarëve dhe manipulimi i ngjarjeve, karriera e Veliut është “një manual i shkatërrimit të shtetit ligjor”.

Salianji kritikon ashpër faktin që sot, Ardi Veliu po drejton operacionin për mbylljen e News24, duke u veshur “hapur me rolin e censorit dhe frikësuesit të medias”. Ai e cilëson këtë si një “sulm frontal ndaj fjalës së lirë” dhe si një provë të qartë se pushteti është gati të përdorë çdo vegël të errët për të heshtur zërat e pavarur.

Gazetarët që sot u ndaluan të hyjnë në punë, sipas Salianjit, kanë pritur që lajmi i ditës të ishte ndalimi i Ardi Veliut për paligjshmëritë e shumta që ai mbart. Megjithatë, SPAK dhe drejtësia ende e lejnë atë të lirë, një situatë që Salianji e sheh si ftesë për vazhdimin e paligjshmërisë.

Ai përfundon duke paralajmëruar se sa kohë që ky person vepron pa u ndëshkuar, çdo qytetar duhet të kuptojë se ligji në këtë vend është peng i atyre që e shkelin më shumë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb