Gazetari Bledian Koka ka mbërritur para godinës së News24, e cila prej mëngjesit të sotëm është rrethuar nga forcat e policisë. Ai përshkroi situatën si një goditje të rëndë jo vetëm për median, por edhe për Shqipërinë në përgjithësi.
“Kjo është një ditë e keqe jo vetëm për median, por edhe për Shqipërinë. Kemi të bëjmë me një pushtet që e ka ndarë mendjen se kush duhet të ekzistojë,” tha Koka.
Ai theksoi se News24 është një media me traditë 25-vjeçare raportimi dhe se çdo media duhet të jetë e lirë të raportojë dhe të mbajë qëndrimet e saj, ndërsa publiku është ai që përcakton rëndësinë e secilës.
“Çdo media është e lirë deri në momentin që mbyllet të raportojë si do dhe të mbajë qëndrimet e saj, dhe pastaj është publiku ai që përcakton rëndësinë për secilin,” shtoi gazetari.
Koka bëri një thirrje për institucionet, duke pyetur ku janë ato në këtë situatë dhe ku është Avokati i Popullit.
“Sot duhet të kuptojmë ku janë institucionet. Ku është Avokati i Popullit? Kjo është thirrje për gjithë qytetarët. Sot News24 nuk u lejua të transmetojë. Në cilin vend të Bashkimit Europian ndodh kjo?” përfundoi ai.
