Erzen Uka, i njohur edhe me emrin Hamza, është një emër i njohur për strukturat e sigurisë shqiptare. Ish-komando i Forcave të Armatosura dhe pjesëmarrës në misione ushtarake në Irak dhe Afganistan, Uka ka qenë prej vitesh në vëzhgimin e Antiterrorit për shkak të dyshimeve për radikalizim.
BalkanWeb mëson se ai u arrestua më 15 prill 2019 nga strukturat e Antiterrorit, pas informacioneve se shprehte prirje radikale dhe nxitje urrejtjeje me qëllim kryerjen e veprave me natyrë terroriste. Autoritetet e konsideronin Ukën si person me rrezikshmëri të lartë, ndërsa survejimi ndaj tij kishte nisur që në vitin 2007.
Në shtator 2020, Gjykata e Tiranës e dënoi Ukën me 3 vite burg për veprat penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Ndaj tij u gjetën materiale propagandistike si edhe pajisje e municione të ndaluara.
Kujtojmë se Erzen Uka dhe Julian Cumraku u ngujuan në një banesë dhe u desh negociimi për disa orë që të dorëzoheshin.
Blutë bëjnë me dije se në momentin që Forcat Speciale Renea i kanë bërë thirrje të rinjve që të dalin nga banesa, por nga brenda shtëpisë është qëlluar me armë zjarri në drejtim të forcave speciale Renea. Në momentin e vetëdorëzimit, Uka kishte një dëmtim tejshpues në kofshën e djathtë, i cili menjëherë është transportuar me ambulancë për në Spitalin Rajonal Shkodër dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se ai ka dëmtuar veten, për të akuzuar forcat policore. Hetimet vijojnë.
